Protestat në Tiranë/ Jurgen Uldedaj anullon ndeshjen kundër Caparello: Shqipëria mbi çdo titull dhe fitore personale

Sport

Protestat në Tiranë/ Jurgen Uldedaj anullon ndeshjen kundër

Boksieri shqiptar Jurgen Uldedaj ka njoftuar shtyrjen e ndeshjes për mbrojtjen e titullit botëror IBO World Cruiserweight Champion, e cila ishte planifikuar të zhvillohej më 23 tetor në Tiranë.

Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Uldedaj bëri të ditur se përballja do të zhvillohet në një datë të re brenda vitit 2026. Sipas tij, vendimi është marrë për shkak të një dëmtimi të lehtë të pësuar gjatë sparring-ut, por edhe për shkak të situatës së krijuar në vend.

Shtyrja, siç bëri të ditur boksieri, është koordinuar me organizatën IBO dhe është vendosur me mirëkuptimin e kundërshtarit të tij, Blake Caparello.

Në mesazhin e tij, Uldedaj theksoi se situata që po kalon Shqipëria ka ndikuar në këtë vendim, duke nënvizuar se për të vendi është më i rëndësishëm se çdo sukses personal në ring.

“Për mua, Shqipëria është mbi çdo titull dhe fitore personale. Nuk do ta ndieja të drejtë të festoja në ring, ndërsa bashkëkombësit e mi protestojnë për të drejtat e tyre dhe vendi kalon momente të vështira”, u shpreh boksieri.

Uldedaj shprehu gjithashtu respekt për të drejtën e qytetarëve për të protestuar, ndërsa vlerësoi edhe punën e Policisë së Shtetit për ruajtjen e rendit dhe sigurisë.

Pavarësisht shtyrjes, kampioni shqiptar theksoi se ëndrra e tij për të mbrojtur titullin botëror në atdhe mbetet e pandryshuar. Ai premtoi se do të rikthehet në ring për të ngritur lart flamurin kuqezi, duke shpresuar që kjo ngjarje të zhvillohet në një moment më të përshtatshëm për vendin.

Në përfundim të mesazhit, Uldedaj bëri thirrje për qetësi dhe respekt, duke falënderuar të gjithë tifozët dhe mbështetësit për mirëkuptimin.

ME TE LEXUARAT

NA SHKRUAJ

Portali Lajmifundit sjell Lajme nga Shqipëria, rajoni dhe bota në kohë rekord. Ju lutemi na kontaktoni nëse doni të kontribuoni me informacione të vlefshme për publikim në portalin tonë.

Kliko për më shumë informacion