Protestat e dhunshme/ Ipeshkëvi i Lezhës apel për dialog: Shqipëri, të ndalemi përpara se të jetë tepër vonë

Soft

Protestat e dhunshme/ Ipeshkëvi i Lezhës apel për dialog:

Ipeshkëvi i Lezhës, Imzot Ottavio Vitale, ka bërë një thirrje për pajtim, dialog dhe shpresë, në një kohë kur Shqipëria po përballet me tensione, protesta dhe episode dhune.

Përmes një mesazhi të publikuar më 18 tetor 2026, ai thekson se shqetësimet e qytetarëve dhe të rinjve duhet të dëgjohen me seriozitet dhe të marrin përgjigje konkrete.

Imzot Vitale nënvizon se protesta paqësore është pjesë thelbësore e demokracisë, ndërsa dhuna rrezikon të dëmtojë bashkëjetesën qytetare dhe të largojë mundësinë e zgjidhjeve të përbashkëta.

Një vëmendje të veçantë ai i kushton mbrojtjes së shkollave dhe strukturave edukative, duke i cilësuar ato si hapësira ku ndërtohet e ardhmja e brezave të rinj.

Kreu i Kishës Katolike në Lezhë thekson se pajtimi nuk nënkupton harrimin e padrejtësive, por kërkon të vërtetën, drejtësinë, përgjegjësinë dhe respektimin e dinjitetit njerëzor.

Ai u drejtohet veçanërisht të rinjve shqiptarë, duke i nxitur të mos lejojnë që zhgënjimi të shndërrohet në urrejtje dhe të kërkojnë ndryshime përmes dialogut dhe angazhimit qytetar.

Në përfundim, duke kujtuar mesazhin e Papa Françeskut gjatë vizitës në Tiranë në vitin 2014, Imzot Vitale i fton shqiptarët të mos harrojnë rrënjët e tyre, por të zgjedhin rrugën e paqes, vëllazërisë dhe shpresës për të ardhmen e vendit.

Reagimi i Ipeshëvit të Lezhës, Imzot Ottavio Vitale:

Shqipëri, të ndalemi përpara se të jetë tepër vonë

Një thirrje për pajtim, dialog dhe shpresë

Ka çaste në jetën e një vendi kur bëhet e nevojshme të ndalemi, ta shohim njëri-tjetrin në sy dhe të pyesim veten se çfarë të ardhmeje dëshirojmë të ndërtojmë së bashku. Shqipëria po kalon ditë tensioni dhe shqetësimi. Protestat, pakënaqësia e shumë qytetarëve dhe të rinjve, përplasjet dhe episodet e dhunës i bëjnë fuqishëm thirrje ndërgjegjes sonë. Ato janë shenja të një shoqërie të përshkuar nga pyetje dhe kërkesa që nuk mund të shpërfillen, por edhe të një tensioni që rrezikon të dëmtojë strukturën e bashkëjetesës qytetare.

Përballë kësaj situate, ndiej nevojën t’u drejtoj një apel të përzemërt të gjithëve: institucioneve, forcave politike, të rinjve, familjeve, edukatorëve, bashkësive fetare dhe çdo njeriu që e do këtë vend.

Shqipëria ka nevojë për pajtim. Ka nevojë të rigjejë arsyet që na mbajnë bashkë, pa hequr dorë nga drejtësia, e vërteta dhe përgjegjësia.

Protesta duhet të mund të shndërrohet në shpresë

Shqetësimet e të rinjve meritojnë të dëgjohen. Brengat e tyre për arsimimin, mundësitë e punësimit dhe mundësinë për të ndërtuar një të ardhme të dinjitetshme nuk mund të kalohen me indiferencë. Një shoqëri e pjekur nuk u druhet pyetjeve të të rinjve të saj: i mirëpret, i merr seriozisht dhe kërkon përgjigje konkrete.

Mundësia për të demonstruar paqësisht, për të shprehur mospajtimin dhe për të kërkuar ndryshime është pjesë thelbësore e jetës demokratike. Por protesta e humbet forcën e saj kur shndërrohet në dhunë, kur ballafaqimi i lë vendin agresionit dhe kur dëshira për drejtësi përfundon duke shkaktuar plagë të reja.

Dhuna nuk e rikthen besimin, nuk ndërton institucione më të drejta dhe nuk u ofron të rinjve të ardhmen që kërkojnë. Përkundrazi, ajo rrezikon të shkatërrojë atë që na përket të gjithëve dhe ta bëjë më të vështirë rrugën drejt zgjidhjeve të bashkëndara.

Ky apel nuk synon t’i heshtë pyetjet, as t’u kërkojë atyre që vuajnë që të pajtohen me gjendjen. Përkundrazi, synon që këto pyetje të dëgjohen, që përgjegjësitë të trajtohen me seriozitet dhe që dialogu të bëhet hapësira ku kërkohen përgjigje të vërteta.

Nuk mjafton të kërkojmë paqe: duhet të krijojmë kushtet për paqen, përmes drejtësisë, dëgjimit dhe respektimit të dinjitetit të çdo njeriu.

Kur dëmtohen strukturat edukative, dëmtohet e ardhmja

Ajo që po ndodh në Shqipëri na kujton një përgjegjësi që i përket mbarë shoqërisë. Tensionet dhe episodet e dhunës, sidomos kur përfshijnë shkolla dhe struktura edukative, ngjallin shqetësim të veçantë. Këto vende janë një pasuri e çmuar për mbarë bashkësinë dhe vlera e tyre shkon shumë përtej mureve që i rrethojnë.

Një shkollë nuk është thjesht një ndërtesë. Është një vend ku kultivohen njohuritë, formohen ndërgjegjet, edukohet respekti dhe mësohet të jetohet së bashku. Ajo është e lidhur me rrugëtimin e shumë familjeve, me punën e edukatorëve dhe me shpresat e të rinjve, të cilët, përmes studimit, mund të përfytyrojnë dhe të ndërtojnë një të ardhme ndryshe.

Shkollat, universitetet, qendrat e formimit dhe të gjitha strukturat që i kushtohen edukimit përmbushin një funksion thelbësor në zhvillimin njerëzor, kulturor dhe shoqëror të një vendi. Të investosh në edukim do të thotë të investosh në dinjitetin e njerëzve, në lirinë, në bashkëjetesën qytetare dhe në të ardhmen e brezave të rinj.

Prandaj, çdo dëm që i shkaktohet një strukture edukative ngjall hidhërim dhe shqetësim. Nuk bëhet fjalë vetëm për të riparuar mure, dritare apo mjedise të dëmtuara. Bëhet fjalë për të ruajtur vende ku ndërtohet e ardhmja dhe ku shumë të rinj mësojnë të bëhen qytetarë të përgjegjshëm.

Çështjet që lidhen me pronësinë, administrimin dhe mbrojtjen e strukturave edukative duhet të trajtohen me qartësi, duke respektuar ligjin, të drejtat dhe personat e përfshirë. Është e nevojshme që institucionet kompetente të nxisin një ballafaqim të përgjegjshëm dhe të gjejnë zgjidhje të drejta, transparente dhe që respektojnë misionin edukativ të këtyre realiteteve.

Nuk duam të vëmë askënd kundër askujt. Duam të kujtojmë se shkolla duhet të jetë gjithmonë një vend i mbrojtur, i ruajtur përkundrejt logjikës së përplasjes dhe i njohur si hapësirë zhvillimi dhe shprese.

Një shoqëri që i ruan shkollat e veta, ruan të ardhmen e vet. Një shoqëri që lejon të dëmtohen vendet e edukimit rrezikon të humbasë një pjesë të shpresës së saj.

Pajtim nuk do të thotë të harrosh

Të flasësh për pajtim nuk do të thotë të kërkosh që të harrohen padrejtësitë, të hiqet dorë nga e vërteta apo të pranohet në mënyrë pasive ajo që është e padrejtë. Pajtimi i vërtetë lind kur kemi guximin që t’i përnjohim plagët, që të hedhim dritë mbi përgjegjësitë, që të ndreqim dëmet dhe të rivendosim marrëdhënie të themeluara mbi respektin.

Nuk mund të ketë paqe pa drejtësi, ashtu sikurse nuk mund të ketë drejtësi autentike pa respektimin e dinjitetit njerëzor.

Institucionet janë të thirrura që t’i ushtrojnë përgjegjësitë e tyre me ekuilibër e transparencë. Forcat politike kanë për detyrë të nxisin dialogun dhe të mos ushqejnë përçarje të mëtejshme. Ata që protestojnë janë të thirrur të ruajnë dinjitetin e protestës, duke shmangur që mospajtimi të shndërrohet në shkatërrim. Forcat e rendit, në ushtrimin e shërbimit të tyre delikat, janë të thirrura të mbrojnë sigurinë e të gjithëve, duke respektuar të drejtat themelore.

Secilit i kërkohet që të marrë përsipër pjesën e vet të përgjegjësisë. Askush nuk mund të mendojë se nuk ka të bëjë me atë që ndodh kur besimi i ndërsjellë dobësohet dhe fjala zëvendësohet nga forca.

Pajtimi fillon pikërisht këtu: nga gatishmëria për të parë te tjetri jo një armik që duhet mposhtur, por një person që duhet dëgjuar, edhe kur idetë e tij janë larg tonave.

Pajtim nuk do të thotë të jemi të gjithë dakord. Do të thotë të pranosh se, përtej dallimeve dhe kundërshtive legjitime, ekziston një e mirë e përbashkët që meriton të ruhet. Do të thotë të kesh guximin të kërkosh së bashku çka bashkon, pa fshehur çka ndan.

Të rinjve të Shqipërisë: mos lejoni t’ju rrëmbejnë shpresën

Dëshiroj t’u drejtoj një fjalë të veçantë të rinjve shqiptarë.

Shqetësimi juaj meriton respekt. Dëshira juaj për një vend më të drejtë, ku studimi të vlerësohet dhe puna të mundësojë një jetë me dinjitet, është një kërkesë e ligjshme dhe e rëndësishme. Mos lejoni që zhgënjimi të shndërrohet në urrejtje, as që zemërimi t’ju bindë se shkatërrimi është e vetmja mënyrë për të qenë të dëgjuar.

Zëri juaj është i çmuar. Bëjeni të dëgjohet me guxim, me mençuri dhe me përgjegjësi. Kërkoni përgjigje, kërkoni me ngulm transparencë, angazhohuni për ndryshimin. Por mos hiqni dorë kurrë nga mundësia për të ndërtuar.

Shqipëria ka nevojë për energjinë tuaj, për krijimtarinë tuaj dhe për aftësinë tuaj për të përfytyruar atë që ende nuk ekziston. Ka nevojë për të rinj që nuk pajtohen me padrejtësitë, por që dinë të bëhen protagonistë të një shoqërie më solidare, më të lirë dhe më të vëmendshme ndaj më të dobëtëve.

Mos lejoni që përçarjet e sotme të bëhen plagët e përhershme të së nesërmes. E ardhmja nuk ndërtohet kundër dikujt, por së bashku, përmes pjesëmarrjes, dialogut dhe përgjegjësisë së bashkëndarë.

Një vend që nuk u ofron shpresë të rinjve të tij rrezikon të varfërojë të nesërmen e vet. Prandaj, t’i dëgjosh ata nuk është një lëshim, por një detyrë. Të investosh në formimin e tyre, të garantosh mundësi dhe të pranosh dëshirën e tyre për pjesëmarrje do të thotë të besosh konkretisht në të ardhmen e Shqipërisë.

Një thirrje për të gjithë ata që e duan Shqipërinë

Në këtë moment është e nevojshme që çdo person dhe çdo institucion që ka për zemër të mirën e Shqipërisë të japë ndihmesën e vet për uljen e tensioneve dhe rihapjen e rrugëve të dialogut.

Kërkojmë që shqetësimet e qytetarëve dhe të rinjve të dëgjohen me seriozitet; që çështjet për të cilat ka kundërshti të trajtohen me qartësi dhe në respektim të ligjit; që të marrin fund aktet e dhunës dhe të vandalizmit; që strukturat edukative të mbrohen; që të promovohen mundësi konkrete takimi ndërmjet përbërësve të ndryshëm të shoqërisë.

Edhe bashkësitë fetare, secila sipas traditës së vet, mund të japin një ndihmesë të çmuar, duke edukuar për faljen, solidaritetin, respektin e ndërsjellë dhe përgjegjësinë ndaj së mirës së përbashkët.

Feja nuk na largon nga vuajtjet e shoqërisë, por na fton që t’i marrim përsipër. Ajo na kujton se asnjë njeri nuk mund të reduktohet tek idetë, përkatësia apo qëndrimet e tij. Çdo qenie njerëzore ruan një dinjitet që duhet njohur dhe respektuar.

Shqipëria ka një histori të pasur me sprova, sakrifica dhe ringritje. Pikërisht kjo kujtesë mund të bëhet një burim force për të përballuar të tashmen. Nuk është e nevojshme të jemi dakord për gjithçka që ta njohim veten si pjesë të së njëjtës bashkësi kombëtare. Megjithatë, është e nevojshme të pranojmë se e mira e përbashkët është më e madhe se interesat individuale dhe kundërshtitë mes palëve.

Pajtimi nuk është një gjest dobësie. Është një zgjedhje e guximshme, që kërkon dëgjim, vërtetësi, aftësi për të kërkuar falje dhe gatishmëri për të rifilluar. Është një rrugëtim që nuk përshkohet brenda një dite, por që mund të nisë nga një vendim: të mos lejojmë që urrejtja të ketë fjalën e fundit.

Të rifillojmë nga dinjiteti i çdo njeriu

Si një njeri që e sheh me dashuri historinë dhe të ardhmen e Shqipërisë, dëshiroj t’u përcjell të gjithëve një mendim të thjeshtë: asnjë krizë nuk duhet të na bëjë të harrojmë vlerën e personit njerëzor.

Çdo i ri që kërkon një të ardhme, çdo familje që dëshiron të jetojë në qetësi, çdo qytetar që kërkon institucione të besueshme, çdo edukator që shoqëron brezat e rinj meriton respekt dhe vëmendje.

Shpresa mund të rilindë kur fjalët shndërrohen në dëgjim, kur merren përsipër përgjegjësitë dhe kur dëshira për drejtësi përkthehet në zgjedhje konkrete. Ajo mund të rilindë edhe nga plagët, nëse kemi guximin të mos i shndërrojmë ato në arsye të reja për urrejtje.

Si besimtarë, e dimë se paqja nuk është vetëm mungesë konflikti: ajo është një vepër e përditshme, që kërkon kthimin e zemrës, respektimin e së vërtetës dhe dashurinë për të afërmin. Ungjilli na fton të jemi veprues të paqes, jo spektatorë indiferentë përballë ndarjeve.

Prandaj, sot më shumë se kurrë, i drejtoj Shqipërisë një thirrje që lind nga shqetësimi, por mbi të gjitha nga shpresa.

Të ndalemi përpara se ndarjet të bëhen të pashërueshme. Ta dëgjojmë njëri-tjetrin përpara se dialogu të bëhet i pamundur. T’i ruajmë shkollat, të rinjtë dhe hapësirat e jetës së përbashkët. T’ia rikthejmë politikës misionin e shërbimit ndaj së mirës së përbashkët dhe shoqërisë dëshirën për të ecur së bashku.

Shqipëria nuk ka nevojë për plagë të reja, por për shërim. Nuk ka nevojë për kundërshti të tjera, por për njerëz të aftë për të ndërtuar ura. Nuk ka nevojë ta humbasë shpresën, por të rigjejë arsyet për të besuar në të ardhmen e vet.

Askush të mos ndihet i përjashtuar nga ky apel. Askush të mos mendojë se pajtimi është detyrë vetëm e të tjerëve. Secili mund të bëjë diçka: me një fjalë më respektuese, me një gjest solidariteti, me gatishmërinë për të dëgjuar, me guximin për të kërkuar të vërtetën dhe për të refuzuar dhunën.

Sepse paqja e Shqipërisë fillon nga zemra e secilit dhe bëhet e mundur kur të gjithë zgjedhin të ruajnë dinjitetin e tjetrit.

“Shqiponja nuk e harron folenë, por fluturon lart”

Dëshiroj ta përmbyll këtë apel duke kujtuar fjalët që Papa Françesku i drejtoi popullit shqiptar gjatë vizitës së tij në Tiranë, më 21 shtator 2014. Fjalë që sot rikthehen me një forcë të veçantë dhe që mund të na tregojnë edhe një herë rrugën që duhet të ndjekim.

Duke iu referuar shqiponjës, simbolit të flamurit shqiptar, Papa na ftoi që të mos i harrojmë rrënjët tona dhe, njëkohësisht, që ta ngremë vështrimin drejt një horizonti më të gjerë:

“Mos e harroni shqiponjën. Shqiponja nuk e harron folenë, por fluturon lart. Fluturoni lart! Ngjituni lart!”

Në mesazhin e tij drejtuar popullit shqiptar, Papa Françesku kujtoi gjithashtu nevojën për të mos i shndërruar plagët e historisë në arsye për hakmarrje, por për të vazhduar duke punuar me shpresë për një të ardhme të madhe. Kështu ai tregoi një rrugë të mbështetur mbi dashurinë, lirinë, drejtësinë dhe, mbi të gjitha, mbi paqen.

Janë fjalë që nuk kërkojnë t’i harrojmë padrejtësitë, por të mos lejojmë që ato të ushqejnë urrejtje të re; nuk na ftojnë që të heqim dorë nga e vërteta, por ta kërkojmë atë pa frymë hakmarrjeje; nuk na kërkojnë të heshtim përballë vështirësive, por t’i përballojmë ato me guxim dhe përgjegjësi.

Shqipëria të mos e harrojë folenë e vet, historinë e saj, vuajtjet e përjetuara dhe arritjet. Por të dijë të fluturojë lart, përtej ndarjeve, përtej kundërshtive, përtej çdo tundimi për dhunë.

Të fluturosh lart do të thotë të zgjedhësh dialogun kur mbizotëron përplasja, drejtësinë kur rritet mllefi, pajtimin kur duket më e lehtë të përçash. Do të thotë të ruash të rinjtë, të mbrosh strukturat edukative, të respektosh dinjitetin e çdo njeriu dhe të pranosh se e ardhmja e vendit është një përgjegjësi e përbashkët.

Ta bëjmë tonën, atëherë, thirrjen e Papa Françeskut: të mos i harrojmë plagët, por të mos lejojmë që të sundohemi nga hakmarrja; të punojmë me shpresë për një të ardhme të madhe.

Uroj që Shqipëria të rigjejë rrugën e vëllazërisë e të paqes. Uroj që institucionet e saj, familjet, të rinjtë dhe të gjitha bashkësitë fetare të dinë të kontribuojnë për një stinë të re besimi e pajtimi.

† Imzot Ottavio Vitale, rcj

Ipeshkëv i Lezhës

Lezhë, 18.10.2026

ME TE LEXUARAT

NA SHKRUAJ

Portali Lajmifundit sjell Lajme nga Shqipëria, rajoni dhe bota në kohë rekord. Ju lutemi na kontaktoni nëse doni të kontribuoni me informacione të vlefshme për publikim në portalin tonë.

Kliko për më shumë informacion