Protesta e studentëve, Sara Mila: Ka tendencë për karrierë të menjëhershme në administratë

Deputetja socialiste Sara Mila tregoi arsyet kryesore, që sipas saj, i shtyjnë studentët drejt protestës anti-qeverisë në bulevard.
E ftuar në emisionin “Off the Record” nga Andrea Danglli në A2CNN, Mila tha se ka një prirje për karrierë të menjëhershme në administratë.
Po ashtu një pjesë e studentëve pretendojnë që procesi i punësimit nuk shoqërohet me meritokraci, apo njohje e konjuktura partiake.
“Nuk mendoj se kemi mësuar shumë këto 9 ditë, se sa kemi mësuar në 140 ditë të tjera protestë në bulevard me flamingot. Aty janë disa studentë, problemet e tyre vijnë kryesisht të mbartura. Kemi të bëjmë me një gjeneratë tjetër.
Nga komunikimet që kam me studentë dhe të rinj dy janë problemet kryesore: E para lidhet direkt me punësimin, me një trampolinë mes përfundimit të studimeve dhe nisjes së karrierës në tregun e punës", tha Mila.
"Ka një tendencë për të dëshiruar dhe për të patur direkt një karrierë në administratë. Kjo nxit menjëherë një zig-zag mendimesh, konfliktesh, argumentesh, sa i përket këtij procesi.
Ka nga ata që thonë se ky proces ndiqet pa meritokraci, ka nga ata që thonë duhet të kesh njohjet e duhura dhe konjukturat partiake për të penetruar në administratë. Ky është një debat që ekziston dhe ka ekzistuar më parë”, u shpreh deputetja e PS.


