Revoltat studentore/ Zv.ministrja e Mbrojtjes: Është normale të ketë pakënaqësi, zgjidhja vjen përmes dialogut

Zëvendësministrja e Mbrojtjes, Pranvera Skana, në një lidhje të drejtpërdrejtë në edicionin qendror të lajmeve në televizionin kombëtar Vizion Plus, me moderator Aleksandër Furxhi, tha se qeveria po vijon thirrjet për dialog me protestuesit.
Skana shtoi se pakënaqësitë janë normale në një shoqëri demokratike, ku jo të gjithë qytetarët ndihen të përfaqësuar.
Zëvendësministrja theksoi më tej se qeveria është e angazhuar të dëgjojë çdo zë dhe se zgjidhja duhet të vijë përmes negociatave dhe dialogut, jo përmes dhunës apo përplasjeve në rrugë.
Intervista e plotë:
Qeveria këtë situatë, këto protesta i konsideron si një krizë të rendit publik apo si një krizë politike?
Pranvera Skana: Nuk mund të bëjmë përcaktime të menjëhershme të kësaj situate për t’i vendosur domosdoshmërisht një emër, por ajo çfarë unë e cilësoj të rëndësishme është që kjo është një protestë që ka impaktuar në mënyrë të drejtpërdrejtë apo tërthorazi jetët e shqiptarëve, qoftë edhe përmes fluksit të mediave që kanë gjeneruar kaq ditë të tëra me akte ndoshta të pakëndshme për audiencat. Nëse Policia Shqiptare mund ta cilësojë si një rast apo prishje të rendit publik, unë do të thosha që kryeministri Rama prej ditësh po jep mundësinë të rinjve për dialog, pse jo edhe për një qasje politike të kërkesave të tyre në rast se ata do të pranojnë për të dialoguar dhe për të parë njëri-tjetrin në sy.
Duke qenë se protesta po vazhdon, a tregon kjo se strategjia e qeverisë për ta menaxhuar këtë situatë deri tani ka dështuar?
Pranvera Skana: Nuk po vendosim tituj për të përcaktuar nëse ky mision është për t’u ndarë dështak apo i suksesshëm. Ajo çfarë mund të vlerësoj dhe mund të them me bindje të plotë është që objektivi i qeverisë është absolutisht këmbëngulës për të dëgjuar dhe për të trajtuar çdo zë që del nga protesta, nga qytetarët dhe nga opinioni publik.
Kemi parë akte dhune këto ditë. Megjithatë, fakti që ekziston një pakënaqësi reale, njerëzit i shohim në rrugë, a tregon kjo se qeveria nuk ka arritur t’i përballojë, t’i adresojë këto pakënaqësi?
Pranvera Skana: Është krejt normale që të ketë pakënaqësi, sepse edhe në vende të tjera të Evropës më pak se 50 përqind e popullsisë votojnë kur japin statusin e një qeverie për të drejtuar, dhe sigurisht që ka të pakënaqur, ka të papërfaqësuar dhe kjo është krejtësisht normale. Ajo që është domethënëse është që të akomodohet, të dëgjohet çdo zë, pavarësisht ku përket dhe si përket. Qeveria ka angazhimin maksimal për të dëgjuar dhe për të vazhduar me thirrjen që kjo zgjidhje vjen vetëm përmes negociatave dhe përmes dialogut. Nuk mund të ketë asnjë alternativë tjetër siç mund të jetë dhuna, gurët apo forma të tjera që nuk i përkasin vitit 2026, por një të shkuare të largët që jam shumë e sigurt që një pjesë e madhe e studentëve as nuk e kujtojnë dhe druaj nëse e kanë aksesuar dhe lexuar këtë informacion në literaturat nëpër libra.
Sot në Tiranë nuk po proteston vetëm opozita, protestojnë edhe njerëz që ndoshta janë votues të Partisë Socialiste dhe të qeverisë së saj. Çfarë mund t’u thuhet këtyre njerëzve? Çfarë mund të thoni ju, për faktin që ata janë të shqetësuar për korrupsionin, për akuzat për korrupsion dhe për cilësinë jo të mirë të shërbimeve publike që ata gjykojnë se është e tillë?
Pranvera Skana: Jam shumë dakord që Shqipërisë i duhen më shumë investime, Shqipërisë i duhen më shumë vende pune, më shumë mirëqenie, më shumë mundësi për të rinjtë, por ajo çfarë i duhet më pak Shqipërisë sot është kaosi dhe pasiguria, aq më tepër në këtë moment ku ne jemi vetëm një hap larg familjes evropiane.


