Vendimi i Kushtetueses për pagat në drejtësi/ Xhafaj: Duhet të ndërmerren ndryshimet e nevojshme

Këshilli për Legjislacionin ka zhvilluar sot mbledhjen e radhës, ku është diskutuar vendimi i Gjykatës Kushtetuese për rritjen e pagave të gjyqtarëve dhe prokurorëve, si dhe ndryshimet në rregulloren e Kuvendit.
Deputeti socialist Fatmir Xhafaj theksoi se Ministria e Financave duhet të ndërmarrë ndryshimet e nevojshme në sistemin e pagave dhe të hyjë në dialog me institucionet e drejtësisë, me qëllim vendosjen e një ekuilibri më të drejtë mes pagave të magjistratëve dhe atyre të sektorëve të tjerë.
Ai u shpreh se reforma në drejtësi u ka dhënë një status të veçantë gjyqtarëve dhe prokurorëve edhe në aspektin financiar, por theksoi nevojën për një rishikim të kujdesshëm të strukturës së pagave, për të shmangur pabarazitë brenda sistemit.
Sipas Xhafajt, pagat e magjistratëve në Shqipëri janë ndër më të lartat në rajon, ndaj kërkohet një zgjidhje e qëndrueshme që të balancojë interesat dhe mundësitë ekonomike të vendit.
Ai shtoi gjithashtu se duhet një bashkëpunim më i ngushtë mes qeverisë, institucioneve të drejtësisë dhe Kuvendit për të hartuar një formulë të qartë për indeksimin e pagave në të ardhmen.
Gjykata Kushtetuese i ka lënë afat qeverisë deri në muajin korrik për të bërë ndryshimet e nevojshme në sistemin e pagave, pasi skema e mëparshme e miratuar në vitin 2023 u konsiderua problematike dhe u kërkua rishikim i saj.


