“Tirana ka arritur imunitetin e tufës”, Brataj rrëzon studimin e Sulçebes: Sa persona kanë kaluar Covidin

I ftuar në emisionin Open, mjeku Genc Sulçebe u shpreh optimist në lidhje me shifrat e pandemisë në vend dhe fundin e afërt të saj.
Sipas tij 70-80% e popullsisë së Tiranës e ka kaluar tashmë Covidin duke arritur imunitetin e tufës.
Masat kufizuese që janë në fuqi, sipas mjekut, duhet të hiqen, pasi situata epidemiologjike është pozitive.
“Jemi drejt fundit të epidemisë në Shqipëri, po shkojmë drejt imunitetit kolektiv. Popullata më e prekshme, mosha mbi 55 vjeç është e imunizuar. Popullata nën 55 vjeç është e mbrojtur në një masë, qoftë nga imuniteti natyral qoftë nga imunizimi. Këto masat në fuqi janë të panevojshme.
Kemi disa shifra, në daljen nga mbyllja e parë ishim tek 7.% në Tiranë, ishim pak a shumë si Europa. 6 muaj më vonë, kjo shifër doli tek 48%. Tani, në Tiranë mbi 70% e popullatës është e imunizuar, qoftë në mënyrë natyrale, qoftë përmes vaksinimit. Nga fundi i qershorit, mbi 70% e popullatës në Tiranë do jetë e imunizuar. Kufiri i imunitetit kolektiv, me variantet e reja shkon 70-80%.”, tha Sulçebe
Nga ana tjetër shifrat e publikuara nga mjeku Sulçebe u rrëzuan nga kreu i Urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj, i cili u shpreh se përllogaritja e popullsisë së infektuar në Tiranë shkon diku te 40 deri në 50%.
“Nuk duhet të kalojmë në këtë mesazh. Kampioni që morët ishte shumë i vogël. Më vjen keq. Nuk përputhen shifrat, është një studim pjesor, ishtë në një kampion të përqëndruar vetëm në Tiranë.
Nuk na dhanë realitetin sepse ndryshe nuk do të kishim valën e shkurtit. Në spital vijnë forma shumë të rënda. Nuk ka tamponë, se njerëzit janë të lodhur. Njerëzit nuk pranojnë të vijnë në Tiranë. Kështu që duhet të jemi të kujdesshëm me të dhënat. Se ndoshta nuk e keni parasysh situatën.
Shifrat e personave që kanë kaluar Covidin shkon tek 47-50%. Po Tirana, mendoj se ka shumë zona të thella, psh. Rrogozhina”, tha Brataj.


