Berisha "bën kthesë" për viktimat e 21 Janarit: U vranë nga shteti… pa dashje!

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka rikthyer deklaratat e tij për ngjarjet e 21 Janarit, duke i quajtur ato një “krim shtetëror pa dashje”. Deklarata u bë sot para Prokurorisë së Posaçme Anti-Korrupsion (SPAK), ku Berisha u paraqit për të zbatuar masën e sigurisë.
Berisha tha se prej 5-6 vjetësh ka përsëritur se viktimat u vranë nga armët e shtetit, por nuk ishte qëllim i shtetit që të vriteshin. Ai bëri dallimin midis “krimit shtetëror me dashje” dhe “krimit shtetëror pa dashje”, duke e klasifikuar ngjarjen e 21 Janarit në kategorinë e dytë.
“Unë nuk mund të them që ata nuk u vranë nga njerëz të shtetit. Por krimi shtetëror ka dy forma: me dashje dhe pa dashje. Në rastin e 21 Janarit, ka qenë krim shtetëror pa dashje. Garda bëri detyrën e saj dhe nuk ka patur urdhër për vrasje,” tha Berisha.
Ai shtoi se dëmtimet u shkaktuan nga rikosheta, si pasojë e detyrës që kryente Garda, dhe se për këtë, dëmshpërblimet për familjarët e viktimave duhet të jenë më të mëdha. Berisha kritikoi edhe Edi Ramën, duke e quajtur përgjegjësin kryesor për ngjarjen, për shkak të vendimmarrjes së tij dhe rolit në zhvillimin e protestës.
Nga ana tjetër, kreu i SPAK, Altin Dumani, ka konfirmuar se dosja e 21 Janarit mbetet një çështje prioritare për institucionin që ai drejton.


