Si do të votohet për kryetarin e ri të PD, publikohet rregullorja, fushata në PD nis nesër

Politikë

Si do të votohet për kryetarin e ri të PD, publikohet

Duke nisur nga e hëna, 24 maj, në Partinë Demokratike do të nisë fushata elektorale. Katër kandidatët për kreun e PD-së do të kenë mundësinë të shpalosin programet e tyre.

Sipas rregullores së miratuar nga Kryesia e PD-së, gara duhet të jetë e ndershme dhe e e barabartë, kurse nga garuesit kërkohet të tregohen me integritet e të shmangin gjuhën e dhunës.

Në rregulloren e siguruar nga “Vizion Plus” janë përcaktuar edhe rregullat sesi do të kryhet procesi i votimit.

Pjesë nga rregullorja:

Komisioni i Votimit dhe Numërimit përbëhet nga 3 anëarë titullarë, të caktuar nga Komisioni Zgjedhor i Partisë, me propozim të Kryesisë së Degës dhe anëtarë vëzhgues si përfaqësues nga secili kandidat.

Secili kandidat ka të drejtë të caktojë një anëtar vëzhgues, që duhet të jetë anëtar partie i degës përkatëse. Kryesia cakton me konsensus një nga Nënkryetarët si Kryetar të Komisionit. Nëse nuk ka konsensus caktimi bëhet me shumicë votash. Fleta e votimit miratohet nga Komisioni Zgjedhor jo më vonë se 7 ditë para datës së zgjedhjeve.

Renditja e kandidatëve do të bëhet me short në Komisionin Zgjedhor në prani të përfaqësuesve të kandidatëve. Komisioni i Votimit dhe Numërimit paraqitet në Qendrën e Votimit (QV) një orë përpara fillimit të procesit dhe përgatit ambientin e QV për realizimin e rregullt të procesit të votimit. Ai hap zarfin me Fletët e Votimit dhe bën gati Komisionin për fillimin e procesit.

Qendrat e votimit hapen në orën 08:00 dhe mbyllen në orën 19:00. Të drejtën për votim e ka çdo anëtar Partie që është i regjistruar në Regjistrin Bazë të Antarësisë në PDSH dhe plotëson kushtet e parashikuara në pikën 2, të nenit 22 të Statutit. Lista e votuesve miratohet nga Komisioni Zgjedhor jo me vonë se 5 ditë para ditës së zgjedhjeve.

Secili kandidat ka të drejtë të caktojë një auditues për procesin e gjenerimit të të dhënave nga sistemi elektronik i antarësisë, i cili pa patur të drejtën për kopjimin e të dhënave, bën monitorimin e procesit të gjenerimit të të dhënave të antarësisë nga sistemi dhe verifikon nëse ka apo jo modifikime të papërshtatshme në sistem.

Zyra e IT dhe Sekretariati Organizativ në Partinë Demokratike kujdeset për garantimin e kësaj të drejte. Votuesi paraqitet përpara Komisionit me mjet identifikimi (kartë identiteti, pasaportë, apo patentë) dhe ia dorëzon atë për verifikim anëtarit të Komisionit që është caktuar përgjegjës për administrimin e Listës së Votuesve.

Nuk lejohet fotografimi apo çdo formë tjetër e dokumentimit të mënyrës së votimit. Nëse anëtari i Komisionit konstaton se votuesi po fotografon apo dokumenton mënyrën e votimit, njofton menjëherë Kryetarin e Komisionit dhe vota e votuesit nuk hidhet në kutinë e votimit, konsiderohet fletë e dëmtuar dhe futet në zarfin e fletëve të dëmtuara. Në këtë rast votuesi humbet të drejtën e votimit.

Kutitë e votimit, fletët e papërdorura, të dëmtuara, listat e votuesve dhe procesverbali i mbylljes së votimit administrohen nga Komisioni i Votimit. Kryetari i Komisionit shpall me zë të lart mbylljen e procesit të votimit dhe menjëherë fillon procesin e përgatitjes së ambientit të QV për realizimin e procesit të Numërimit.

Procesi i Numërimit të votave fillon jo më vonë se 30 minuta nga mbyllja e procesit të votimit. Pas mbylljes së votimit dhe administrimit të të gjithë dokumentacionit, Komisioni i Votimit hap kutitë dhe kryen numërimin e votave për secilin kandidat. Numërimi i votave kryhet nga Komisioni i Votimit dhe Numërimit. Numërimi bëhet në prani të të gjithë anëtarëve të Komisionit dhe është i hapur për mediat dhe për anëtarësinë.

ME TE LEXUARAT

NA SHKRUAJ

Portali Lajmifundit sjell Lajme nga Shqipëria, rajoni dhe bota në kohë rekord. Ju lutemi na kontaktoni nëse doni të kontribuoni me informacione të vlefshme për publikim në portalin tonë.

Kliko për më shumë informacion