Shqipëria mirëpret Seminarin Teknik të ISSA-s për forcimin e shërbimeve të pensioneve

Tirana priti më 16-17 shtator Seminarin Teknik të Rrjetit Evropian të Shoqatës Ndërkombëtare të Sigurimeve Shoqërore (ISSA European Network – IEN), me temë “Strengthening services in pension schemes – Meeting the needs of older persons”.
Seminari mblodhi përfaqësues nga institucionet e sigurimeve shoqërore të Holandës, Gjermanisë, Suedisë, Sllovakisë, Greqisë, Polonisë, Çekisë, Turqisë dhe vendeve të tjera evropiane.
Në aktivitet morën pjesë Sekretari i Përgjithshëm i ISSA-s, Marcelo Abi-Ramia Caetano, Presidenti i Rrjetit Evropian të ISSA-s, Yunus Elitaş, si dhe drejtues e ekspertë të fushës.
Në fjalën e saj përshëndetëse, ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, falënderoi ISSA-n për zgjedhjen e Tiranës dhe theksoi rëndësinë e shkëmbimit të përvojave ndërkombëtare në një moment kur Shqipëria po punon për reformën e re të pensioneve.
“Gjatë këtyre dy ditëve ju do të keni mundësi të diskutoni dhe të ndani eksperienca me njëri-tjetrin, nga vende të ndryshme, nga sisteme të ndryshme, nga kultura të ndryshme, nga problematika të ndryshme. Kjo, për ne është veçanërisht e rëndësishme, pasi, siç mbase mund të jeni në dijeni, ne jemi duke menduar për reformën e re të pensioneve. Ndaj dhe, në këtë fazë të rëndësishme të punës që kemi hyrë, ku duhet të finalizojmë detajet e fundit të saj, për ne është e rëndësishme të dëgjojmë eksperiencat tuaja dhe të ndajmë tonat”, u shpreh Ibrahimaj.
Ministrja u ndal edhe te sfidat me të cilat përballen sistemet e sigurimeve shoqërore, duke vënë në dukje se, pavarësisht specifikave të secilit vend, këto sisteme përballen me sfida të përbashkëta demografike, sociale dhe ekonomike.
“Të gjithë bashkë kujdesemi në një epokë e cila ka sfida të jashtëzakonshme, si sfida demografike, sfida sociale, sfida ekonomike. Kujdesemi që të krijojmë sisteme të qëndrueshme, të cilat mund t’i rezistojnë kohës dhe të cilat të jenë transparente, të jenë të thjeshta për të kuptuar”, theksoi ministrja.
Në vijim, Ibrahimaj vlerësoi rëndësinë e ekspertizës dhe bashkëpunimit ndërmjet institucioneve për ndërtimin e sistemeve të sigurimeve shoqërore që u përgjigjen zhvillimeve afatgjata. Ajo theksoi se përvoja e vendeve të ndryshme dhe shkëmbimi i ekspertizës janë të rëndësishme për adresimin e sfidave që hasen në këtë fushë.
Në fokus të seminarit ishte përmirësimi i shërbimeve ndaj qytetarëve përmes digjitalizimit dhe automatizimit të proceseve. Gjatë diskutimeve u trajtuan edhe përdorimi i teknologjive të reja, përfshirë inteligjencën artificiale, zhvillimi i llogaritësve online të pensioneve dhe nevoja për ruajtjen e asistencës njerëzore për personat që kanë nevojë për mbështetje të drejtpërdrejtë.
Programi përfshiu gjithashtu diskutime mbi komunikimin dhe informimin për pensionet, planifikimin për daljen në pension, shërbimet për të vetëpunësuarit dhe punonjësit e sektorit bujqësor, si dhe trajtimin e rasteve me element ndërkombëtar, përfshirë pensionet dhe karrierat e sigurimit në më shumë se një shtet.
Shqipëria u përfaqësua në diskutimet teknike nga drejtues dhe ekspertë të Institutit të Sigurimeve Shoqërore dhe Ministrisë së Ekonomisë dhe Inovacionit.
Seminari në Tiranë shërbeu si një forum për shkëmbimin e përvojave ndërmjet institucioneve të sigurimeve shoqërore dhe diskutimin e qasjeve të reja për përmirësimin dhe modernizimin e shërbimeve të pensioneve.


