U grabit në Paris në 2016, ja pse gjykata dëmshpërbleu me 1 euro Kim Kardashianin

Një gjykatë në Paris i ka dhënë të martën Kim Kardashian një dëmshpërblim simbolik prej 1 eurosh ($1.15) pasi ra viktimë e një grabitjeje me armë në kryeqytetin francez në vitin 2016.
Kjo ishte e gjithë shuma e kompensimit që vetë ylli televiziv kishte kërkuar përmes avokatëve të saj, pasi qëllimi kryesor i procesit ishte vendosja e drejtësisë dhe jo përfitimi financiar.
Ngjarja e rëndë ka ndodhur më 2 tetor 2016 gjatë Javës së Modës në Paris, kur dy nga grabitësit, të maskuar si policë, u futën me forcë në suitën e saj në “Hôtel de Pourtalès”. Ata e lidhën Kardashian me lidhëse plastike e shirit ngjitës dhe morën me vete bizhuteri me vlerë mbi 6 milionë dollarë, përfshirë një unazë diamant me vlerë të madhe, që ajo e kishte mbajtur atë natë në një sfilatë mode.
Për shkak të moshës së kaluar të anëtarëve të grupit, gjashtë prej të cilëve ishin në të 60-at dhe të 70-at e tyre kur u gjykuan, media franceze i pagëzoi ata me pseudonimin “les papys braqueurs” apo “gjyshërit grabitës”.
Gjykata dënoi tetë persona për rolin e tyre në këtë ngjarje nën akuzat për grabitje me armë, rrëmbim dhe bashkëpunim në grup kriminal. Sidoqoftë, për shkak të kohës së kaluar në paraburgim përpara vendimit, asnjë nga të dënuarit nuk u rikthye në burg dhe asnjë prej tyre nuk e apeloi vendimin përfundimtar.
Në një deklaratë të përbashkët me stilisten e saj Simone Harouche, e cila ishte gjithashtu pranishme gjatë grabitjes dhe që mori po ashtu 1 euro dëmshpërblim, Kardashian shprehu mirënjohjen e saj për sistemin francez të drejtësisë.
Ajo theksoi se e mban mend ngjarjen si një nga përjetimet më të tmerrshme të jetës, që ka lënë pasoja të thella traumatike, duke shtuar se vendimi ka të bëjë me dëmet psikologjike.
Përveç Kardashian, gjykata vendosi kompensime edhe për palët e tjera të prekur nga ngjarja. Recepsionisti i hotelit, i cili deklaroi se mbeti i traumatizuar nga incidenti dhe kërkoi fillimisht 550,000 euro, u shpërblye me 109,516 euro ($126,472), vendim që avokati i tij e quajti një fitore. Gjithashtu, vetë hotelit “Hôtel de Pourtalès” iu caktua një dëmshpërblim prej 50,000 eurosh.


