Sapo iku Berisha, Basha hyn në Kuvend, ulet pranë Gazmend Bardhit

Pas minuta pasi është larguar ish-kryeministri Sali Berisha, ish-kreu i PD Lulzim Basha ka mbërritur në Kuvend ku është ulur pranë sekretarit të Përgjithshëm të partisë Gazmend. Bardhi.
Basha është ulur të njëjtën karrige që ka pasur kur mbante postin e kreut të partisë.
Përpara se të ulet në vendin e tij Basha është takuar me deputetët e PD Dashmor Sula dhe Saimir Korreshi.
I pyetur për mungesën e tij në mbledhjen e sotme, Basha tha se ajo nuk iu shërben demokratëve, por individëve të veçantë duke iu referuar Berishës. Ai tha se do të vijojë të punojë pa reshtur për PD-në, e cila një nga vlerat më themelore të saj ka orientimin euroatlantik.
“Siç ju thashë, një nga vlerat e PD është orientimi euroatlantik, në bazë të këtyre vlerave kam marrë vendimet dhe përgjegjësitë e mia. Unë do të punoj pa reshtur, ujërat kanë qenë të trubullta, por do të qartësohen”, tha Basha.
Nga ana tjetër ai u ndal dhe te aksioni i SPAK për çështjen e inceneratorëve, që kulmoi disa ditë më parë në dhënien e urdhërarresit për deputetin soialist Alqi Bllako.
“Po futem në një parlament, ku ka ndodhur diçka e rëndësishme, është mishëruar një hap i parë, për vjedhjen e shekullit, që është afera e inceneratorëve. Nuk mund të mos shpreh keqardhjen që kësaj ngjarje i mbivendosen zhvillimet e brendshme në Partinë Demokratike.
Dua ta theksoj se kjo aferë ka për qëllim të vërë para drejtësisë të gjithë personat përgjegjës të niveleve më të larta. Nuk bëhet thjesht për dënime individësh, por për akte korruptive që gërryejnë xhepat e shqiptarëve”, tha Basha, i cili ritheksoi apelin që SPAK të kryejë hetime për udhëruesit e inceneratorëve.


