Rama zbardh planin e ri / Takime çdo të premte dhe fund “punësimeve nga partia”: Ligjvënësi s’duhet të bëjë Arqile Botin
Kryeministri Edi Rama ka kërkuar ndryshime në mënyrën se si funksionon marrëdhënia mes PS, deputetëve dhe qytetarëve, duke vendosur si vijë të panegociueshme ndarjen e qartë mes partisë dhe shtetit.

Në mbledhjen e grupit parlamentar të PS-së, Rama tha se nismat “Besa”, “Pasqyra” dhe “Prania Besnike” duhet të sjellin një qasje të re dhe të mos mbeten thjesht në nivelin e fjalëve apo të një fushate komunikimi.
Kryeministri përcaktoi disa parime që duhet të jenë të panegociueshme në raportin mes strukturave politike dhe institucioneve.
“Në s’duam që Besa të mos mbetet fjala e madhe e grabitur nga përmbajtja, nëse duam që pasqyra të funksionojë jo si shfaqja e fundit e PS, por të gjitha bashkë ti japin një fuqi të ri shumicës sonë. Vija e panegociueshme është partia nuk bën shtetin, deputeti nuk ndërmjetëson favor, kryetari i partisë nuk është sportel punësimi. Militanti nuk është rruga e qytetarit për të marrë të drejtën që i jep ligji”, tha Rama.
Rama u ndal edhe te funksionimi i “Pranisë Besnike”, duke kërkuar krijimin e sekretariateve të posaçme për fusha të ndryshme, si ekonomia, bujqësia dhe çështjet sociale.
“Prania Besnike duhet të ketë sekretariatet e veta, të ekonomisë, bujqësisë dhe çështjeve sociale. Duhet të ketë orët fikse dhe vendet”, tha kryeministri.
Kryeministri kërkoi gjithashtu ndryshimin e rolit të deputetëve: “Edhe roli i deputetit duhet të ndryshojë. Deputeti duhet të sjellë dhe të përcjellë. Deputeti është njeriu i duhur për të sjellë sinjalin në institucion dhe jo në Instagram. Deputetët nuk duhet të bëjnë Arqile Bodin, ndjesë pastë. Kur çështja kërkon mjekun, duhet të flasë mjeku; kur duhet inxhinieri, duhet të flasë inxhinieri”.


