Rama takon socialistët në Vlorë: Në partinë tonë askush nuk mbetet pa përfaqësuar!

Kryeministri Edi Rama është takuar këtë të dielë me kandidatët e PS-së në zgjedhjet e 11 majit në Vlorë, ku mes 4 deputetëve të listës së sigurt është edhe ministri i Mbrojtjes, Piro Vëngu, ndërsa në listë të hapur dallon Damian Gjiknuri dhe drejtori aktual i Arkivave në Tiranë, Ardit Bido.
Gjatë takimit Rama vlerësoi drejtuesin politik të qarkut Bledi Çuçi: ."Ke arritur të kapërcesh barrierat tradicionale që ka vendosur PS e territorit këtu, duke e konsideruar territor që vetvetiu është me PS-në dhe duke mbyllur faktikisht dyer e jo hapur ato".
Rama tha se skuadra ka në përbërje eksperiencën por dhe risitë që vijnë nga nivelet më të larta të drejtimit të PS-së, por dhe vetë komuniteti.
"Skuadra e qarkut të Vlorës ka një cilësi që e reflektojnë dhe skuadrat e qarqeve të tjera, por në Vlorë ka harmonizim mes ambicies, qëllimeve dhe shoqërisë së përbërë nga komunitete, prejardhje e opinione jo gjithmonë të njëjta. Ne me këtë skuadër i japim qarkut të Vlorës një ofertë që nuk i kemi dhënë më parë me këtë lloj larmie e mundësi për të zgjedhur brenda për brenda skuadrës e duke dhënë individëve mesazhin se askush nuk mund të ndihet i papërfaqësuar.
PS është hapësirë ku ka vend për të gjithë... që ndajnë qëllimin e madh atë që të bëjmë Shqipërinë anëtare të BE-së e të rrisim më tej cilësinë e jetës në Vlorë, Sarandë, Delvinë, Konispol, Finiq e Selenica për ti dhënë fuqi të shtuar ekonomisë vendore", tha Rama.


