Rama e quajti lajthitje, SPAK: Hetojmë shpenzimet e partive, blerjen e votës, lidhjet me krimin!

Zgjedhjet e 11 majit do të jenë sfidë e re për SPAK, ka deklaruar sot prokuroria e Posaçme pasi do të monitorojë gjithçka nga fondet e partive deri te lidhja e tyre me krimin.
Po ashtu SPAK tha se puna e Prokurorisë nuk do preket.
"Hetimi i veprave penale në kuadër të zgjedhjeve shpesh mund të jetë subjekt i presioneve politike dhe ndërhyrjeve të ndryshme të jashtëligjshme, të cilat mund të synojnë devijimin ose vonesën e hetimeve. Këto ndërhyrje mund të ndikojnë tek dëshmitarët, tek të hetuarit apo edhe tek institucionet përgjegjëse për hetimin dhe gjykimin e rasteve.
Garantimi i pavarësisë së SPAK nga të gjithë aktorët dhe sigurimi i mbështetjes institucionale do të jenë thelbësorë për të përballuar këtë sfidë.
Përdorimi i parasë cash, i cili është i vështirë për t'u ndjekur, si dhe mungesa e bashkëpunimit nga individë apo subjekte private të përfshira, përbëjnë sfida të mëdha për organet hetimore. Në këtë kuadër, do të jetë e domosdoshme rritja e bashkëpunimit me institucionet financiare, forcimi i mekanizmave të raportimit të transaksioneve të dyshimta dhe përmirësimi i bashkëpunimit ndërkombëtar për ndjekjen e fondeve që vijnë nga jashtë Shqipërisë.


