Rama e la pa post, Balla mburret: Do jem gjithmonë me PS, kulmi i mbështetjes ishte më 25 prill

Kreu i Grupit Parlamentar Socialist, Taulant Balla ka reaguar për herë të parë pas mbledhjes së asamblesë, ku kryeministri Edi Rama e la pa asnjë post.
Balla shprehet se sa të ketë forcën për t’u marrë me politikë, do të jetë socialist që e ka të shenjtë frymën e ekipit, respektit dhe disiplinës.
Ai shton se e ka nisur karrierën në PS si një anëtar i thjeshtë 27 vite më parë dhe hap pas hapi ka marrë nga kjo parti edhe votuesit dhe mbështetje, që kulmoi më 25 prill.
"Kam dëgjuar e lexuar shumë fjalë dhe interpretime për mua këto ditë dhe sonte vendosa të them disa fjalë, të cilat i thashë paradite edhe në mbledhjen e sotme të Grupit Socialist në Kuvend.
Sa të kem forcën për tu marrë me politikë une jam një socialist, i cili e ka të shenjtë frymën e ekipit, të respektit dhe të disiplinës në familjen më të madhe politike të shqiptarëve. E kam nisur karrierën në PS si një anëtar i thjeshtë 27 vite më parë dhe hap pas hapi kam marrë nga kjo parti dhe votuesit e saj aq shumë mbështetje, duke kulmuar më 25 Prill në qarkun e Elbasanit, nder që dua vetem tia kthej cdo ditë me gjithë forcat e mia.
Nuk i kam dashur dhe nuk i dua kurrë ata që e harrojnë nga janë nisur dhe nuk shikojnë sa vite e sa punë ka akoma përpara. Përsëri prej sot në krye të Grupit Socialist në Kuvend, ku jam më i motivuar se kurrë dhe do të jem i pari që do bëj më shumë në këtë mandat të tretë me PS si shumicë parlamentare, prandaj mos habitet asnjë nga kolegët e mij të grupit që do të kërkoj më shumë nga të gjithë në përmbushje të besimit që shqiptarët na kanë dhënë”, shkruan Balla.


