Rama: Dëshirojmë partneritet strategjik me Greqinë, por nuk pranojmë të trajtohemi pa respekt

Politikë

Rama: Dëshirojmë partneritet strategjik me Greqinë, por nuk

Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se dëshiron partneritet strategjik me Greqinë, Italinë dhe Turqinë, por nuk do të pranonte që të trajtohej pa respekt, pasi gjithçka është reciproke sipas tij. 

Në një intervistë për “Real Story”, kryeminstri u shpreh se nuk dëshironte konflikte dhe as estradë ballkanike që përmban frymë nacionaliste, ndërsa theksoi nevojën e krijimit të kushteve për të rritur bashkëpunimet midis vendeve.

“Ne nuk duam konflikte, ne nuk duam sherr, ne nuk duam estradë ballkanike me gërhama nacionaliste në rajon, ne duam të kemi sa më shumë kushte për të promovuar paqen bashkëpunimin etj etj. Një gjë nuk e pranojmë dot dhe nuk do ta pranojmë që të trajtohemi pa respekt.

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

Për sa kohë trajtohemi me respekt, për sa kohë trajtohemi me të njëjtin respekt që japim ne jemi në rregull”,-tha kryeministri Edi Rama.

Pyetjes së gazetarit se nëse Greqia ka treguar mungesë respekti ndaj Shqipërisë, Rama tha se Greqia është pozicionuar gjatë kësaj periudhe për shkak të arrestimit të Fredi Belerit, ndonëse nga ana jonë nuk ka pasur reagim për vetë faktin se pozicioni ynë nuk lidhet me Greqinë dhe as me vetë individin, por me të ardhmen e drejtësisë së pavarur në vendin tonë, përfundoi Rama.  

“Greqia ka marrë një pozion të caktuar në këtë periudhë kohe, ne nuk kemi reaguar përvec se kemi nënvizuar faktin që ne nuk lëvizim, nuk lëvizim nga pozicioni ynë për arsyen e thjeshtë se ne këtë pozicion nuk e kemi marrë në raport me Greqinë, nuk e kemi marrë në raport me një individ, ne këtë pozicion e kemi marrë në raport me veten dhe me të ardhmen që është pozicioni që Shqipëria duhet të ketë një drejtësi të pavarur.

Dhe nëse ne nuk lëvizim nga ky pozicion për shumë raste që lidhen me qytetarë të Republikës së Shqipërisë me kombësi shqiptare ne nuk kemi pse të lëvizim për një qytetar të Republikës së Shqipërisë me kombësi greke, apo me kombësi franceze është e njëjta gjë”,- u përgjigj kryeminstri Edi Rama.

ME TE LEXUARAT