PSD prezanton programin elektoral në Shkodër, Tom Doshi: Synojmë 3 mandate

Partia Social Demokrate ka prezantuar në Shkodër programin e saj për zgjedhjet parlamentare të 11 majit. Kreu i PSD-së, Tom Doshi, konfirmoi se do të kandidojë për deputet në Shkodër dhe theksoi se partia e tij do të luftojë për të siguruar 3 mandate në këtë qark. Doshi i bëri thirrje Diasporës dhe qytetarëve të gjithë Shqipërisë të mbështesin PSD-në në zgjedhjet e 11 majit.
"Po e deklaroj sot që unë do të jem deputet i Shkodrës për 4 vite.Qëllimi ynë është jo më me 2 deputet, por duke parë punën dhe mbështetjen që kemi në qarkun e Shkodrës ne do të luftojmë për 3 mandate.Për Diasporën kam një thirrje të votojë Partinë Social Demokrate në qoftë se ata duan të shohin njerëzit e tyre më të lumtur. Thirrja është jo vetëm për qarkun e Shkodrës, por për të gjithë shqiptarët votoni Partinë Social Demokrate", tha Doshi.
Gjatë shpalosjes së programit, sekretari organizativ i PSD-së, Klementin Mile, theksoi pikat kryesore ku do të fokusohet partia. Ai njoftoi se nuk do të ketë pension më të ulët se 190 euro, si pjesë e angazhimeve për përmirësimin e kushteve ekonomike për qytetarët.
"Një nga pjesët kryesore që ne e nisim programin është ekonomia.10 mln euro që t’i japim nga buxheti i shtetit që bizneset të kenë asistencë teknike falas. SPAK, GJKKO pra organet e drejtësisë të gjitha kanë mbështetjen tonë të plotë. Do subvensionojmë fermerët për çdo njësi prodhimi dhe krerë bagëtish.Të mos ketë pension më të ulët se 190 euro. 10% të vendeve të punës në administratën publike të jenë per të rinjt e sapodiplomuar. Mininuni jetik për të gjithë njerëzit do të jetë 220 euro në muaj", tha Mile.
Kreu i PSD-së, Tom Doshi, e konsideroi programin e partisë së tij si të përshtatshëm për çdo familje shqiptare dhe theksoi se premtimet e PSD janë të gjitha të realizueshme, duke shtuar se janë të bazuara në realitetin ekonomik dhe nevojat e qytetarëve.
"Për këtë program kanë punuar si të ishin duke bërë një buxhet të shtetit.Është trajtuar si një kryefamiljar çdo gjë që i nevojitet një familje. Është buxheti i qytetarëve për ekonominë shqiptare. Premtimet tona janë të gjitha të realizueshme që nga fermeri, të sëmurët, pensionistët, invalidët”, u shpreh Tom Doshi.
PSD ka si objektiv zgjerimin e saj në gjithë territorin e vendit. Gjatë zgjedhjeve të fundit lokale, partia doli forcë e parë në qarkun e Shkodrës, duke arritur numrin më të lartë të këshilltarëve.


