Prokurorët e SPAK mbërrijnë në Kuvend, Arben Ahmetaj dërgon vetëm avokatët

Politikë

Prokurorët e SPAK mbërrijnë në Kuvend, Arben Ahmetaj

Prokurorët e SPAK kanë mbërritur në Kryesinë e Kuvendit aty ku dhe në orën 16:00 pritet të mblidhet Këshilli i Mandateve, ku do të diskutohet kërkesa e tyre për arrestimin e ish-zv.kryeministrit Arben Ahmetaj.

Ka qenë vetë kreu i SPAK Altin Dumani me prokuroren Enkeleda Millonai të cilët kanë mbërritur në ambientet e Kryesisë për të paraqitur para anëtarëve të Këshillit të Mandateve kërkesën e tyre për arrestimin e deputetit socialist. Ata do të paraqesin provat, në të cilat mbështesin kërkesën e tyre drejtuar Kuvendit.

Burime për mediat bëjnë me dije se në Kryesi kanë mbërritur edhe avokatët e ish-ministrit Arben Ahmetaj, Saimir Visha dhe Enrik Ligori.

Kjo mbledhje vjen pas kërkesës së SPAK drejtuar Kuvendit ditën e djeshme për arrestimin e ish-zv.kryeministrit Arban Ahmetaj.

Më herët u bë me dije se avokatët e Ahmetajt kanë kërkuar që mbledhja të shtyhet për ditën e nesërme për shkak të dosjes voluminoze

Theksojmë se ndaj Arben Ahmetajt janë ngritur tre akuza penale, korrupsion pasiv, pastrim parash dhe deklarim i rremë dhe fshehje pasurie.  Deputetit Ahmetaj i është kërkuar nga Kuvendi që të jetë i pranishëm përpara Këshillit, por ky nuk është një detyrim ligjor për të. Sipas rergullores ai mund të zgjedhë që të jetë i pranishëm ose të përfaqësohet nga një avokat.

“Rendi i ditës është si më poshtë: Shqyrtimi i kërkesës së Prokurorisë së Posaçme Kunder Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, për dhënie autorizimi nga Kuvendi për arrestim/heqjen e lirisë dhe ushtrimin e kontrollit personal/të banesës së deputetit të Kuvendit të Shqiperisë, z Arben Ahmetaj”, thuhet në njoftimin e firmosur nga kryetarja e Kuvendit Lindita Nikolla.

Kujtojmë që një ditë më parë SPAK ju drejtua me një kërkesë Kuvendit, ku kërkoi dhënie autorizimi për arrestimin e deputetit Arben Ahmetaj.

ME TE LEXUARAT