Pritej që SPAK të raportonte hetimet ndaj kryebashkiakut, shtyhet seanca për Veliajn! Ja kur do mbahet e radhës
Gjykata e Posaçme ka shtyrë këtë të premte seancën gjyqësore për kryebashkiakun, Erion Veliaj. Mësohet se shkak i shtyrjes ishte mungesa e biznesmenit Elman Abule, ndërsa seanca e radhës do të mbahet më 17 qershor, në orën 10:00.
Ashtu siç u bë me dije më herët, seanca e sotme ishte parashikuar të niste në orën 12:30. Gjatë seancës, e cila do drejtohej nga gjyqtari Erjon Bami, pritej që SPAK të paraqiste informacionin 2 mujor mbi ecurinë e hetimeve, ndërsa mbrojtja mund të kërkojë zëvendësim të masës së sigurisë.
Kryebashkiaku Erion Veliaj, prej 10 shkurtit 2025 ndodhet nën masën e sigurisë “arrest me burg” për akuzat e korrupsionit, fshehje pasurive dhe pastrimit të parave.
Veliaj akuzohet për “Korrupsion pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë” si dhe “Pastrim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”. Vlen të theksohet se këto vepra penale dyshohen se janë konsumuar plot 9 herë nga çifti Veliaj – Xoxa, kjo e fundit me 3 akuza zyrtare, të cilat janë: “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim (9 herë), “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”.