Jashtë protestë dhe përplasje, nis seanca plenare, PD bojkoton

Politikë

Jashtë protestë dhe përplasje, nis seanca plenare, PD bojkoton

Teksa jashtë Parlamentit vijojnë përplasjet mes protestuesve dhe policisë, Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike ka vendosur të mos marrë pjesë në seancën plenare të kësaj të enjteje.

Demokratët akuzojnë mazhorancën se po bllokon nismat e opozitës, ndërsa pretendojnë se Kuvendi është rrethuar nga qindra efektivë policie “për të shuar zërin e qytetarëve” që protestojnë jashtë godinës.

Në një deklaratë zyrtare, PD shprehet se mazhoranca ka refuzuar kërkesën për debat parlamentar me Kryeministrin Edi Rama mbi kërkesat e qytetarëve që protestojnë prej më shumë se një muaji, si dhe mbi rekomandimet e Rezolutës së Parlamentit Europian.

Demokratët akuzojnë gjithashtu shumicën se ka përjashtuar nga kalendari i punimeve katër projektligje të depozituara prej tyre rreth një muaj më parë. Bëhet fjalë për nismat që synojnë shfuqizimin e ndryshimeve në ligjin për zonat e mbrojtura, ligjit për investimet strategjike, Paketës së Maleve dhe disa dispozitave të ligjit për trashëgiminë kulturore.

Sipas PD-së, këto projektligje lidhen drejtpërdrejt me kërkesat e qytetarëve dhe shqetësimet e ngritura në Rezolutën e Parlamentit Europian, ndaj duhet të ishin përfshirë në rendin e ditës. “Për sa kohë mazhoranca refuzon të përfshijë këto projektligje në rendin e ditës ose të përcaktojë shqyrtimin e tyre brenda këtij sesioni parlamentar, Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike ka vendosur të mos marrë pjesë në punimet e Kuvendit në seancën e sotme“, thuhet në deklaratë.

Në reagimin e saj, Partia Demokratike shprehet edhe se godina e Kuvendit është rrethuar nga forca të shumta policie, duke pretenduar se kjo bëhet për të penguar protestën e qytetarëve.

ME TE LEXUARAT

NA SHKRUAJ

Portali Lajmifundit sjell Lajme nga Shqipëria, rajoni dhe bota në kohë rekord. Ju lutemi na kontaktoni nëse doni të kontribuoni me informacione të vlefshme për publikim në portalin tonë.

Kliko për më shumë informacion