Përfundon mbledhja, Kadilli thirrje demokratëve: Duhet të ndryshojmë vetë, pastaj të mundim Ramën

Mbledhja e Kryesisë së Partisë Demokratike, të enjten, ka zgjatur dy orë e gjysmë. Ajo u zhvillua në një klimë të tensionuar, ku pati edhe debate mes demokratëve, por në fund të saj u miratuan 4 pikat e rendit të ditës.
Pasi doli nga mbledhja Fatbardh Kadilli tha se propozimet e tij u cilësuan të parakohshme, por ai kërkoi një reflektim të thellë nga demokratët.
“Për të parë nga ato që janë mundësitë dhe kapacitetet e kësaj partie për ta bërë të pastër, të hapur, konkurruese dhe fituese. Ndryshimet e propozuara nga unë, përgjithësisht u gjykuan të parakohshme, por me shumë nga anëtarët dhe kryetari, që ndajmë koncepte të ndryshme për ndarjen e rolit të udhëheqësit të partisë.
Uroj që kuvendi kombëtar, të jemi të gjithë bashkë për të hapur një proces të gjerë dhe të thellë që të ndryshojmë veten tonë në radhë të parë për të mundur Edi Ramën” tha ai.
Katër pikat e miratura: E para, shqyrtimi i përmbledhjes së analizës për masakrën zgjedhore të 25 prillit për fazën e parë të saj.
E dyta, shqyrtimi i ndryshimeve për statutin e PD.
E treta, miratimi i urdhrit për ngritjen e komisionit të votimit dhe numërimit për zgjedhjen e anëtarëve të Këshillit Kombëtar në mbledhjen e datës 17 korrik.
E katërta, lidhet me njoftimin nga kryetari i Partisë për listën që do ti propozojë për votim për kandidatët për anëtarë të Këshillit Kombëtar.
Po ashtu, në mbledhje drejtuesit politikë kanë debatuar me Sekretarin e Përgjithshëm të PD-së, Gazment Bardhi, për mënyrën se si është hartuar dokumenti i analizës së humbjes së zgjedhjeve të 25 prillit.
Drejtuesi politik i Korçës, Edmond Spaho është shprehur i pakënaqur me analizën përfundimtare për qarkun Korçë. Sipas tij, ky qark ka arritur objektivin, duke marrë 5 mandate.
Pjesë nga debatet në mbledhje:
Edmond Spaho: Aty ne raport z.Bardhi thua qe Korca nuk ka dale brenda pritshmerive? Si e shpjegon? Une kam bere tjeter analize. Kam marre rezultatin me te mire. Kam pasur objektiv 5 mandate, kam fituar 5 mandate.
Edi Paloka: Ky dokument nuk eshte realist. Nuk pasqyron ate qe drejtuesit politik kane shkruar ne raportet e tyre. Duhet ndryshuar dokumenti, nuk mund ta miratojme ne kete menyre si eshte hartuar. Keshtu del sikur njeri ka punuar mire, nje tjeter jo.
Gazment Bardhi: Metodologjia e analizes nuk eshte bere nga une, por eshte bere sipas nje plani te bere nga konsulentet. Mbi bazen e asaj metodologjie eshte bere analiza.
Fatbardh Kadilli: Duhet parë me kujdes rezultati, analiza nxit emulacionin. Dikush më mirë, dikush më keq. Raporti sa i përket faktorëve të jashtëm është i mirë, ndërsa për faktorët e brendshëm nuk kanë dalë evidente, ndërkohë që duhet të kishin dalë.
Gazment Bardhi: Analizën për faktorët e brendshëm, degë më degë do e bëjmë në një fazë të dytë, në shtator.
Fatbardh Kadilli: Në këtë analizë nuk përmenden problematikat që kanë lidhje me përformancën e PD-së, si reagoi struktura, koha e daljes në terren, cilësia e listave.


