"Nuk fshihem pas mandatit", Sali Berisha: Ditën e premte do të hyj në Parlament

Ish-kryeministri Sali Berisha do të jetë në parlament ditën e premte, me nisjen e punimeve në legjislaturën e re.
Kështu deklaroi vetë ai në emisionin “Now” me Erla Mëhillin, duke theksuar se prania e tij në Kuvend do të jetë në përputhje të plotë me vullnetin e shqiptarëve.
“Unë nuk fshihem prapa mandatit”, u shpreh z. Berisha.
Sali Berisha tha se sovraniteti i vendit është shprehur me votën e qytetarëve, ndaj në asnjë lloj rrethane ai nuk mund “ta shkelmojë sovranitetin e Shqipërisë”.
Ish-kryeministri theksoi se nuk do të ketë tërheqje nga ana e tij.
Berisha folie dhe per shpalljen non grata nga SHBA.
“Mendoj se PD ka mbajtur qëndrimin që duhej të mbahej, ka kërkuar transparencë, që PD të konsolidojë apo të marrë qëndrim ndaj një personi, apo Sali Berishës, PD duhet të ketë fakte, dokumente dhe prova, jashtë tyre, PD qëndrim tjetër nuk mund të mbajë,” – u shpreh Berisha.
“Nëse PD do të gjendej para provave, fakteve, dokumenteve për çka Sali Berisha është akuzuar, PD do të bënte gabim historik nëse nuk merrte vendim për përjashtimin e tij nga partia,” – tha Berisha duke theksuar se partia e tij po bën detyrën kur kërkon prova përpara se të mbajë qëndrim.
Më 19 maj Sekretari i DASH Blinken e shpalli Berishën “non grata” në SHBA për “korrupsion të niveleve të larta” dhe “cenim të demokracisë”.
Berisha e ka konsideruar vendimin të pa-bazuar në prova dhe të motivuar politikisht. Për këtë, më 5 gusht ai tha se e ka paditur për shpifje Blinkenin në Gjykatën Korreksionale të Parisit.
Prej muajit korrik, SHBA ka kërkuar, përmes ambasadës në Tiranë, distancimin e PD-së nga Berisha dhe tërheqjen e këtij të fundit nga mandati i deputetit.
Përveç ish-kryetarit të PD-së, DASH ka shpallur deri më sot “non grata” për korrupsion ish-kryeprokurorin Adriatik Llalla, ish-kryetarin e Bashkisë Durrës Vangjush Dako dhe ish-deputetin Tom Doshi.



