Miratimi i marrëveshjes për pensionet, Balla: Do gëzojnë 500 mijë shqiptarë në Itali

Me 129 vota pro dhe asnjë kundër, Senati italian i hapi dritën jeshile njohjes së kontributeve shoqërore për efekt pensioni të qytetarëve shqiptarë që jetojnë e punojnë në Itali.
Ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Taulant Balla në rrjetet sociale shprehet se nga kjo marrëveshje përfitojnë rreth 500 mijë shqiptarë që jetojnë në Diasporë.
“Me të gjitha votat pro, Senati i parlamentit italian ratifikoi finalizimin e marrëveshjes midis Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Italisë në fushën e sigurimeve shoqërore.
Sepse me hyrjen në fuqi të marrëveshjes, rreth 500 mijë shqiptarë që kanë shumë vite që jetojnë, sakrifikojnë, punojnë dhe kontribuojnë në zhvillimin ekonomik të Italisë, nga vitet ’90 e këtej, por edhe të atyre shtetasve italianë që kanë kontribuar e punojnë në Shqipëri, do të kenë më në fund mundësi të gëzojnë dhe përfitojnë pensionet.
Me firmosjen nga presidenti Mattarella, marrëveshja hyn në fuqi”, deklaroi Balla.


