“Miniera në Afrikë, operacione plastike 280 mijë euro ”, Monika Kryemadhi: Akuzat ndaj meje, gjueti shtrigash!

Ish-kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi, ka reaguar ashpër ndaj akuzave të ngritura nga SPAK ndaj saj, duke i cilësuar akuzat si të pabaza.
E ftuar në emisionin “Log.” në News24, Kryemadhi deklaroi se po përballet me një “gjueti shtrigash”, e cila sipas saj mbështetet në perceptime publike dhe sulme të koordinuara politike.
“Gjithçka është një gjueti shtrigash. PD në një anë, nuk them që nuk ka sulmuar LSI-në dhe Ilir Metën. PS po ashtu. Por perceptimi publik iu bashkua një fletërrufeje. Asnjë prej akuzave ndaj meje nuk ekziston,” deklaroi Kryemadhi.
Ajo mohoi kategorikisht çdo përfshirje në pastrim parash apo fshehje pasurie, duke theksuar se nuk ekziston asnjë provë konkrete që të mbështesë këto pretendime. “Që të bësh pastrim parash duhet të ketë vepër penale. Cila është ajo? Që të fshehësh pasurinë, duhet të gjesh më parë pasurinë e fshehur,” u shpreh ajo.
Ajo përmendi edhe pretendime që janë bërë publike, përfshirë ato për pronësi minierash në Afrikë, operacione plastike në vlerën e 280 mijë eurove dhe llogari offshore në Qipro, duke i cilësuar të gjitha si të pavërteta dhe të pabazuara në fakte.
“Një artikull thoshte që kam miniera në Afrikë. I gjetën minierat në Afrikë këta? Akuzuan se kam bërë operacione plastike 280 mijë euro. I gjetën?
Akuzuan që Ilir Meta ka fjetur në një hotel me Kastriot Ismailajn dhe ka marrë para prej tij. Doli që nuk ka fjetur në të njëjtën dhomë dhe nga llogaritë e Ismailajt nuk ka kaluar asnjë qindarkë në llogaritë e Metës,” deklaroi Kryemadhi.


