“Më zunë pritë e më thirrën hajdute!”/ Përplasja me protestuesit, reagon Iris Luarasit: U lëndova, do t'i denoncoj

Deputetja e Partisë Socialiste, Iris Luarasi, ka reaguar pas përplasjes së sotme me disa protestues, teksa po shkonte drejt Parlamentit për të marrë pjesë në seancë plrenare.
Luarasi pretendon se disa vajza e kishin pritur me sharje dhe fyerje, ndërsa e kishin filmuar me celularë. Gjatë momentit të përplasjes verbale, protestuesit i janë drejtuar deputetes me thirrjet: “Hajdute! Mos fol në emër të grave! Ti nuk je mbrojtësja e grave! Ti nuk i përfaqëson gratë”.
Në një reagim në rrjetet sociale, Luarasi shprehet se është ndjerë e lënduar nga situata, duke theksuar se nuk e kundërshton kritikën, por kundërshton atë që e konsideron si dhunë verbale dhe fyerje.
Deputetja thotë se gjatë protestës është cilësuar “hajdute”, ndërsa shprehet se nuk do të lejojë që t’i cenohen emri dhe dinjiteti.
“Më thërritën hajdute, por nderin, punën dhe emrin tim nuk lejoj të m’i vjedhë askush. E aq më pak disa vajza që kanë vendosur ta quajnë dhunën aktivizëm”, thotë ajo.
Ndër të tjera, deputetja paralajmëron se do t’i drejtohet drejtësisë për rastin, duke bërë të ditur se do ta denoncojë atë që e konsideron shpifje, kërcënim dhe dhunë.
Visualizza questo post su Instagram
Reagimi i plotë:
Sot, duke hyrë në Parlament, disa vajza më kishin zënë pritë, me sharje, me fyerje dhe me celularët gati për të filmuar spektaklin që kishin përgatitur. Dhe patjetër që për një çast u lëndova, jo se nuk e përballoj kritikën, por sepse pashë vajza të reja që besonin se poshtërimi i një gruaje ishte mënyra më e mirë për të mbrojtur gratë.
Më thërritën hajdute, por nderin, punën dhe emrin tim nuk lejoj të m’i vjedhi askush. E aq më pak disa vajza që kanë vendosur ta quajnë dhunën aktivizëm. Më akuzuan se nuk mbroj gratë, ndërkohë që po dhunon vetë verbalisht një grua. Kjo është vërtet ironike, por edhe për të ardhur keq. Më akuzuan se nuk mbroj gratë, ndërkohë që po dhunonin vetë verbalisht një grua.
Unë nuk pretendoj të përfaqësoj këto gra, që ngatërrojnë aktivizmin me agresionin, protestën me pritën dhe guximin me fyerjen. Por përfaqësoj gra dhe vajza të tjera, që punojnë dhe e ngrenë zërin me dinjitet. Ato që nuk kanë nevojë për një grup, kamerën dhe një viktimë që të ndihen të fuqishme.
Kritikën e përballoj, pyetjeve u përgjigjem, por shpifjen, kërcënimin dhe dhunën nuk i pranoj. Prandaj këtë rast do ta denoncoj. Dhe do t’ia lë drejtësisë të veprojë. Sepse fyerja nuk është protestë, poshtërimi nuk është aktivizëm dhe dhuna nuk bëhet më pak dhunë, vetëm sepse ushtrohet nga vajza.


