Kurti nuk pranoi ta takonte, Rama largohet nga Kosova

Kryeministri Edi Rama e ka nisur ditën me një përshëndetje për të gjithë Kosovën.
Kreu i qeverisë shqiptare përfundoi takimet e planifikuara në Kosovë, ku ditën e djeshme zhvilloi një takim me presidenten Vjosa Osmani dhe kryetarin e Kuvendit, Glauk Konjufca, mirëpo mungoi ai me homologun e tij Albin Kurti.
Në ditën e dytë të takimeve në rajon, në kuadër të turit ballkanik, kryeministri tha se ndalesa e radhës është në Sarajevë.
“MIRËMËNGJES
dhe me një përshëndetje për krejt Kosovën, vazhdojmë drejt Sarajevës për ditën e dytë të takimeve në rajon”, shkruan Rama.
Kryeministri Edi Rama mbërriti në Kosovë pasditen e djeshme. Ai zhvilloi një takim me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani dhe më pas me kryetarin e Kuvendit, Glauk Konjufca, i cili në një deklaratë për mediat pas përfundimit të takimit pohoi se marrëdhënet mes kryeministrit Rama dhe atij Kurti janë krisur pas anulimit të mbledhjes së dy qeverive.
Ditën e mërkurë, në një deklaratë për mediat kryeministri i Kosovës Albin Kurti i vuri kusht Ramës se nëse nuk mbahet mbledhja e dy qeverive, për të firmosur 13 marrëveshjet mes dy vendeve, nuk do të ketë një takim mes tyre.
Mirëpo, mëngjesin djeshëm kryeministri Rama firmosi 13 marrëveshjet e parashikuara për tu nënshkruar në mbledhjen e dy qeverive që do të mbahej në Gjakovë, duke plotësuar në dukje kushtin e Albin Kurtit, takim i cili nuk arriti të mbahej.


