“Këta i kemi shalqinj me provë”, Rama nuk i kursen batutat gjatë inspektimit nga Sauku

Së shpejti Shqipëria do të ketë një Pol të ri të Teknologjisë së Informacionit dhe Sigurisë kibernetike që aktualisht po zhvillohet përgjatë Unazës së Tiranës, në rrethrrotullimin që lidh zonën e Saukut dhe Liqenin Artificial.
I shtrirë në një sipërfaqe prej më shumë se 9 mijë metër katrorë, projekti i dytë i madh në fushën e mbrojtjes kibernetike pas Qendrës së Inovacionit të Sigurisë dhe Mbrojtjes, është një kompleks godinash qeveritare ku do të akomodohen me zyra disa agjenci që operojnë në fushën e informacionit dhe sigurisë kibernetike.
Kryeministri Edi Rama ishte sot në kantier, së bashku me Zv/Kryeministren dhe Ministren e Energjisë dhe Infrastrukturës Belinda Balluku, e cila dha detaje mbi projektin.
“Ndodhemi në kthesën e Saukut, në akses të plotë me dalje në Unazën e Madhe të Tiranës. Ky pozicion është zgjedhur për të ndërtuar Polin e Sigurisë Kibernetike, ku këtu do akomodohet ACESK-u, ASIG DHE AIF, Agjencia e Inteligjencës Financiare. Është një sipërfaqe 9600 m katrorë ku kemi një ndërtesë ekzistuese të mbetur nga disa projekte private të mëparshme, por pasi kemi bërë të gjithë procedurat e duhura për sa i përket shkëmbimit të truallit dhe pasi kemi arritur që të kemi një detyrë projektimi shumë të mirë nga të tre ndërmarrjet, institucionet që do jenë pjesë e këtij Poli, tashmë kemi një projekt dhe jemi gati të fillojmë me kantierin.
Parashikohet që të kemi një ndërtesë mbi tokë që do të arrijë në 4000 metra katrorë, ndërkohë që nëntoka arrin në 5800 metra katrorë ku një pjesë e zyrave do jenë në nivelin -1 për arsye sigurie, ku ndodhen serverët dhe zyrat e tjera te operimeve. Nga ana tjetër, kati -2 do të jetë parkim me mbi 115 vende parkimi.” – shpjegoi Zv/Kryeministrja Balluku.
Pjesë e kompleksit që po ndërtohet do të jetë edhe Akademia Kibernetike, e cila vjen si nevojë për ngritjen e kapaciteteve në fushën e sigurisë kibernetike.


