"Asnjë kampion nuk endet rrugëve"/ Rama për investimet në sport: Do sjellim dhe akademinë e NBA

Politikë

"Asnjë kampion nuk endet rrugëve"/ Rama për investimet

Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama prezantoi vizionin për sportin në “Shqipëri 2030”, duke treguar përpara mbështetësve të tij investimet strategjike në këtë sektor, mbështetjen dhe nxitjen e një kulture të re sportive në vend.

"Ne kemi sot afro 400 palestra në Shqipëri. Sot janë 12 mijë fëmijë që janë të angazhuar në lëvizjet sportive nëpër shkolla, që janë baza për ekipet zinxhir. Por më shumë se kaq, janë baza për një kulturë të re sportive, duke filluar nga shkolla ne duhet ta rrisim këtë numër, të rrisim numrin e disiplinave sportive. Duhet që në bashkëpunim me Komitetin Olimpik Shqiptare, që ka qenë kyç në të gjithë këtë transformim, të kuptojmë se si mund të ndërtohen nuklet për mundjen, peshëngritjen, apo disiplinat e tjera deri te shahu.

Duhet të rrisim numrin e trajnerëve dhe të përmirësojmë metodologjinë.

Unë jam i bindur që gjithë kjo bazë do të na japin kënaqësi, kur këta fëmijë të arrijnë në nivelin kompetitiv. Natyrisht që unë, mbase jam nostalgjik, unë nuk pres të rilindë Gaz Çaçi, se kjo do jetë pak e vështirë, por Pjerin Bushati patjetër që do të rilindë. Nuk e dimë se kush do e pasojë Pjerinin, por si ai do kemi. Infrastruktura ka shumë nevojë", tha Rama.

Gjatë këtij takimi, ai tregoi planin e tij për sportin dhe se gjithashtu u ndal te ligji i sponsorizimit, i cili sipas tij, do të duhet të diskutohet më me seriozitet.

"Ne jemi shumë të lehtësuar që kemi zgjidhur problemin e kampionëve. Sot nuk ka më kampionë që enden rrugëve. Është shumë e qartë që tanimë, buxheti për Komitetin Olimpik, që ka marrë një pozicion të nderuar kombëtarisht dhe ndërkombëtarisht, është i pamjaftueshëm, siç është për federatat e shumësportit. Me siguri do e nisim vitin e ardhshëm me rritjen e buxhetit të Komitetit Olimpik.

Mendoj se ka ardhur koha të ulemi dhe ta diskutojmë me seriozitet ligjin e sponsorizimeve. Nuk ka qenë e lehtë, por sot është e mundur. Nëse sot ne kemi një shembull që s’mund të imagjinohej disa vite më parë, të fëmijëve që mësojnë të luajnë në skuadër në një nga shkollat më të famshme siç është ajo e Manchester City-t, shumë shpejt do të kemi të gjithë infrastrukturën e akademisë dhe shkollës në Durrës, ku ashtu siç e kemi biseduar me pronarët dhe drejtuesit teknikë të Manchester City-t, do të krijojmë një destinacion rajonal për talentet e futbollit", tha ai.

 

 

ME TE LEXUARAT