Gjirokastër/ Reforma territoriale vijon dëgjesat, Mazniku: Bashkitë rol kyç për fondet e BE

Komisioni për Reformën Administrativo-Territoriale ka vijuar dëgjesat publike në Gjirokastër, ku diskutimet janë zhvilluar në një atmosferë të qetë dhe bashkëpunuese mes palëve politike.
Bashkëkryetari i komisionit, Arbjan Mazniku, u ndal te procesi i integrimit europian, duke deklaruar se Shqipëria synon të mbyllë negociatat me Bashkimin Europian në vitin 2027, ndërsa në periudhën 2028–2029 ekziston mundësia për anëtarësim të plotë në BE.
Sipas tij, integrimi do të shoqërohet me përfitime të rëndësishme financiare nga fondet e BE-së, por theksoi se këto kërkojnë struktura vendore të afta dhe kapacitete të certifikuara për menaxhimin e tyre.
Mazniku vlerësoi gjithashtu bashkëpunimin politik në këtë proces, duke theksuar rëndësinë e përfshirjes së opozitës në diskutime.
Edhe përfaqësues të këshillit bashkiak e vlerësuan klimën e dialogut, duke e cilësuar si një rast të rrallë bashkëpunimi mes të majtës dhe të djathtës në një tryezë të përbashkët për çështje që prekin qytetarët.


