Sulmet politike ndaj SPAK, ambasadori i BE: Altin Dumani nuk duket i shqetësuar
Ambasadori i BE në Tiranë, Silvio Gonzato foli nga Shkodra mbi sulmet e politikës ndaj SPAK dhe prokurorëve të posaçëm.
Pas një takimi me studentë të universitetit Luigj Gurakuqi për Reformën në Drejtësi dhe rolin e shoqërisë civile foli për veprimtarinë e Prokurorisë së Posaçme (SPAK), Gonzato tha se struktura e posaçme ka treguar se është rezistente ndaj akuzave që vijnë nga politika.
“Shikoni, reforma e 2016-ës synonte konkretisht të garantonte që sistemi i drejtësisë të jetë i pavarur, të jetë i vetëqeverisur dhe prandaj është rezistent dhe elastik ndaj presioneve politike.
Merr lajme ekskluzive në Whatsapp
Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.
Unë i diskutova këto gjëra edhe me z. Dumani dhe ai është i bindur, po bën punën e tij dhe mendoj se duhet të qëndrojë i qetë dhe të vazhdojë. A ka presion nga politika? Nuk më takon mua ta them, por ai nuk duket se ishte i shqetësuar për këtë”– deklaroi Gonzato.
Ai shtoi më tej se SPAK po sjell rezultate në luftën kundër korrupsionit.
“Mendoj se është shumë e rëndësishme që, institucioni i posaçëm që u krijua pikërisht për t’u marrë me rastet e nivelit të lartë të korrupsionit dhe krimit të organizuar, tani po sjell disa rezultate.
Mendoj se i jep besueshmëri vendosmërisë së Shqipërisë për të luftuar korrupsionin, sepse korrupsioni është i dëmshëm për shoqërinë, është i dëmshëm për ekonominë, kështu që nëse Shqipëria dëshiron të anëtarësohet në Bashkimin Evropian, është e qartë rruga që duhet ndjekur”, vijoi ambasadori i BE në Tiranë.