Edi Rama në listën e hapur të PS në Tiranë? Përfundon takimi pas 7 orësh diskutime

Politikë

Edi Rama në listën e hapur të PS në Tiranë?

Pas 7 orësh diskutime që shoqëruan takimin mes kryeministrit Edi Rama dhe ministrat e drejtuesit politikë të Partisë Socialiste, që u mbajt në Pallatin e Brigadave, është diskutuar edhe për listën e kandidatëve për deputetë në zgjedhjet e 11 majit.

Drejtuesit politik i kanë dorëzuar listat paraprake te kreu i PS. Po ashtu do të zhvillohen takime “kokë më kokë” mes Ramës dhe çdo drejtuesi politik ku do të diskutohen emrat për deputet në çdo qark, duke nisur nga nesër e deri të mërkurën, kur mblidhet edhe Kryesia e PS.

Vetë kryeministri mund të garojë në Tiranë, ashtu siç edhe ai ka deklaruar.

Skenari sipas mediave është që Edi Rama të jetë në listën e hapur të kryeqytetit, çka do t’i krijonte kreut të PS hapësirë për të kërkuar dhe marrë sa më shumë vota.

Referuar listës së Tiranës, sipas burimeve, duket se do të ketë më shumë gra në listën e sigurtë sesa burra, ndërsa vetë Rama e ka thënë edhe në shtator që deputetët e ashtuquajtur “veteranë”, me më shumë se një mandat nuk do të jenë në listë të sigurt.

Sakaq drejtuesit politik do të jenë në listën e mbyllur, por edhe disa nga ministrat si në Tiranë, Elbasan dhe Vlorë.

Krytetari i Bashkisë së Beratit, Ervin Demo, i cili është edhe drejtues politik i qarkut ka shprehur interesin për të qenë në listën e kandidatëve për deputet.

Po ashtu një vend në listë e kanë kërkuar edhe kryebashkiakja e Dimalit, Juliana Mema, kreu i bashkisë së Tepelenës, Tërmet Peçi dhe kryetari i bashkisë së Matit, Agron Malaj.

ME TE LEXUARAT