Duka zbulon marrëveshjen me PD: Përçarja do të dëmtojë opozitën

Kreu i PAA-së, Agron Duka, ka ndarë detaje të marrëveshjes së arritur me PD-në e Sali Berishës për zgjedhjet e 11 majit, duke konfirmuar se partia e tij do të ketë një deputet të sigurt në listat e mbyllura të PD-së. Duka sqaroi se, për shkak të kushteve që ofron Kodi Zgjedhor, PAA ka vendosur t’i bashkohet PD-së dhe do të respektojë marrëveshjen deri në fund.
Në një intervistë për Report TV, ai ngriti shqetësimin për përçarjen brenda opozitës, veçanërisht për fraksionet që janë shkëputur nga PD, si ata të Lulzim Bashës, Agron Shehajt dhe Enkelejd Alibeajt. Duka theksoi se kjo përçarje mund të dëmtojë opozitën në zgjedhje nëse nuk arrijnë të bashkohen, por gjithashtu e vuri në dukje se korrupsioni në qeveri ka krijuar një klimë pakënaqësie popullore, që përbën një mundësi pozitive për opozitën.
“Një kandidat i PAA do jetë në listat e mbyllura të PD. Në lidhje me shkëputjen time mund të them se partitë e mëdha duan vendime të mëdha. Një anije si e jona nuk besoj se e ndjen shumë tronditjen me ikjen time nga gara për deputet, madje rinovohet edhe partia me gjak të ri. Ju e keni parasysh se çfarë ndodhi me zotin Sali Berisha me largimin e tij nga PD, tërheqja e tij më 2013 ka qenë pak a shumë në moshën time, gabim i Bashës që e largoi nga partia, por ai është rikthyer dhe nuk ka njeri tjetër që e bën më mirë këtë punë. Pra largimi i Berishës nga largimi i PD e tronditi partinë, kurse te ne, jemi parti të vogla. Basha bëri taktika negative me lëvizjet e tij në opozitë në drejtim të saj”, tha Duka.
Ai e vlerëson përçarjen brenda opozitës, sidomos tek PD, si një faktor shumë negativ.
“Ata që kanë ikur nga PD mund të dëmtojnë opozitën dhe këto janë anët negative. Nëse do ishin bashkë do ishte frymë tjetër, nëse do ishin altruistë. Flas këtu për Bashën, Shehajn, Djathtas 1912 dhe të tjerat që janë larguar nga PD. Ka largime të shumta nga trungu i PD-së dhe kjo solli dëm, është anë negative. Ikja e tyre sjell humbje votash. Pozitive është fakti se njerëz të qeverisë po dalin si të korruptuar nga qeverisja që ka pasur, edhe pse kryeministri Rama po mundohet ta zbusë, sepse ajo i takon. Por në bazë shikoj se ka pakënaqësi të madhe dhe opozita ngacmon nervin”, shpjegoi ai.
Duka shpjegon se bashkimi me PD-në është motivuar nga fakti që kanë siguruar një vend të garantuar në listat e mbyllura.
“Kodi Zgjedhor nuk na lë hapësira të shumta. Kemi bërë një kontratë me PD-në dhe do i qëndrojmë deri në fund asaj. Me PD u bashkuam prej Kodit, sepse s’na favorizon. Ka një revoltë dhe shpresojmë të kthehet në votë. Rama po luan me intelektin e njerëzve, kur u votua me 74 vota dhe tani pas 12 vitesh pret 100 vota deputetësh, nuk besoj se i merr aq. Do jetë mirë të mos e bëjë asnjë parti vetëm qeverinë. Do timonin vetë, do ta heqi vetë vallen, por nuk është mirë kështu, pasi kur ke aleatë shërben për zbutje të drejtimit”, tha kreu i PAA.
Ai parashikoi se, përkundër entuziazmit, partitë e vogla nuk mund të fitojnë më shumë se 1-2 deputetë, por theksoi se votat e tyre të shpërndara ndikojnë negativisht në forcën e opozitës si një tërësi.
“Partitë e reja uroj që mos të marrin vetëm vota, por edhe mandate, se ajo ka rëndësi. Por këto nuk duhen parë 6 muaj para zgjedhjeve, sepse kur vjen dita e votimit, qytetarët shkojnë tek partitë e mëdha. Ndaj ne si parti e vogël nuk favorizohemi dhe na detyroi të bashkohemi me PD. Besoj se ky do jetë fundi i tyre, vështirë që të përkthehen në mandate me kapërcime si 8 mandate, 20, 70 apo më shumë. Shpresoj dhe besoj diku aty te 1 apo dy mandate, pra shpresoj që ato vota që kanë të përkthehen në deputetë”, shprehet Duka.


