Jozefina Topalli bën "mea culpa": Nuk kemi bërë shumë për emigrantët në 30 vite, po kërkojmë ndjesë

Politikë

Jozefina Topalli bën "mea culpa": Nuk kemi bërë

Lideri demokrat Sali Berisha vendosi javë më parë të caktonte Jozefina Topallin si drejtuese të Partisë Demokratike për Diasporën shqiptare, në kuadër të organizimit për zgjedhjet e 11 Majit 2025. Ish-kryetarja e Parlamentit, në një intervistë të fundit ka bërë "mea culpa".

“Po të kishim qenë më të vëmendshëm në 3 dekada mund të kishim bërë më shumë për diasporën dhe është një rast për t’i kërkuar ndjesë që nuk kemi bëre më shumë me ta”, tha ajo për gazetaren e Elda Menga.

E ndërsa vendos në një peshore atë që politika nuk ka bërë ndër vite për emigrantet, Topalli fajëson socialistët për një eksod të dytë të shqiptarëve.

“Përzënia e 1 milion shqiptareve në dekadën e fundit është dhuna më e pamëshirshme që një pushtet mund të ushtrojë ndaj një pjese të rëndësishme të kombit ndaj edhe kemi shumë gjëra të rëndësishme për të ndryshuar”, ka thënë ajo për Top Channel.

“Mëkatet” e saj me diasporën politika po përpiqet ti rikuperojë duke i mundësuar për herë të parë te drejtën e votës. Votat e emigranteve janë një hambar elektoral pa përkatësi politike, por Jozefina Topalli është e bindur se votuesit nga jashtë mund të përmbysin realitetin politik ne Shqipëri.

“Përdorimi i pamëshirshëm i administratës apo mos dhënia e databazës së shtetit opozitës sigurisht jo vetëm është e padrejtë por është dhe për t’u denoncuar. Por, diaspora mund mund të ketë fuqinë të përmbysë situatën", është shprehur ajo.

Socialistët kanë nisur punën për krijimin e një regjistri identifikues për emigrantet nëpër botë. Demokratët duket se janë një hap pas, dhe zonja Topalli nuk e fsheh një gjë të tillë. “Disa degë po e bëjnë disa jo”, ka thënë drejtuesja e PD për Diasporën.

Jozefina Topalli prej kohesh ka nisur turin e takimeve të ngushta me emigrantet ne Europë dhe Shtetet e Bashkuara duke ndjekur një fushate ndryshe nga ajo kundërshtari politik.

 

ME TE LEXUARAT