“Qeveria shemb lirinë e fjalës” / Marjana Koçeku denoncon sulmet online: U mbyllën mbi 200 faqe opozitare

Deputetja tashmë e pavarur pas largimit nga PS, Marjana Koçeku, ka denoncuar një valë sulmesh online ndaj disa figurave të opozitës dhe mbështetësve të protestës.
Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Koçeku thotë se mbi 200 faqe në instagram, të cilat kanë kanë përmbajtje nga protestat, janë mbyllur gjatë ditëve të fundit.
Sipas saj, mes llogarive të prekura janë edhe faqja zyrtare e deputetit Agron Shehaj, ajo e aktivistit Gent Progni, si dhe disa faqe të tjera të njohura për mbështetjen e protestës.
Koçeku akuzon qeverinë shqiptare se, ndërsa në forumet ndërkombëtare mbron lirinë e shprehjes dhe të drejtat online, brenda vendit vepron ndryshe.
Reagimi i Marjana Koçekut
Nji valë sulmesh online ka nisë veçanërisht që ditën e djeshme kundër disa figurave opozitare me ndikim politik dhe publik. Mbi 200 faqe Instagrami me përmbajtje nga protestat janë mbyllë, përfshi këtu faqen zyrtare të deputetit Agron Shehaj, aktivistit Gent Progni dhe faqeve të njoftuna në Instagram që e kanë mbështetë vazhdimisht protestën.
Këto ditë në Forumin e Bled-it, siguria online dhe sulmet kibernetike ndaj lirisë së shprehjes ishin kryefjala e diskutimit të Komisionerëve Europianë.
Qeveria jonë në Forume Ndërkombëtare e mbron këtë të drejtë me fanatizëm, por tenton me çdo kusht e çdo mjet ta shembë në shtëpinë e vet. Për këtë edhe kam raportu tashmë në institucionet e Bashkimit Europian.


