‘Bujqësia është në koma’, Tabaku: Qeveria po sakrifikon tokën bujqësore për klientët e radhës

Politikë

‘Bujqësia është në koma’, Tabaku: Qeveria po

Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka denoncuar projektligjin e qeverisë për mbrojtjen e tokës bujqësore, duke paralajmëruar se ndryshimet e propozuara hapin rrugën për përdorimin e saj për parqe fotovoltaike dhe eolike, pa kritere të qarta dhe pa garanci për mbrojtjen e interesit publik.

Sipas Tabakut, ndërsa sektori i bujqësisë ndodhet në një prej periudhave më të vështira, qeveria nuk po merr masa për të mbështetur fermerët, por po ndryshon ligjet për t’i shërbyer interesave të klientëve të saj.

“Bujqësia është në koma, ndërkohë që qeveria po miraton një ligj që lejon përdorimin e tokës bujqësore edhe për parqe eolike dhe fotovoltaike. Edhe ajo pak tokë bujqësore që ka mbetur po vihet në dispozicion pa kritere, pa parime dhe pa rregulla të qarta”, u shpreh Tabaku.

Deputetja demokrate kundërshtoi gjithashtu përdorimin e procesit të integrimit europian si justifikim për këto ndryshime. Ajo theksoi se integrimi duhet të shërbejë për mbrojtjen e tokës bujqësore, zhvillimin e qëndrueshëm dhe forcimin e sektorit, jo për të legjitimuar interesa të caktuara ekonomike.

“Sigurisht që bujqësia, mbrojtja e mjedisit dhe e tokës lidhen me procesin e integrimit. Por ky nuk është rasti. Integrimi po përdoret si justifikim për interesat e radhës”, deklaroi Tabaku.

Ajo ngriti dyshime se pas ndryshimeve ligjore mund të qëndrojnë kërkesa konkrete për investime në parqe energjetike, të cilat, sipas saj, publiku mund t’i mësojë vetëm pasi vendimet të jenë marrë.

Tabaku solli në vëmendje rënien e vazhdueshme të peshës së bujqësisë në ekonomi, mungesën e fondeve të IPARD-it dhe vështirësitë e fermerëve shqiptarë për të eksportuar prodhimet e tyre.

“Bujqësia ka rënë nga rreth 20% e Prodhimit të Brendshëm Bruto në 15% dhe po shkon drejt 14%. Fondet e IPARD-it i mungojnë sektorit, ndërsa zhvlerësimi i euros i ka bërë produktet shqiptare më pak konkurruese dhe i ka vendosur fermerët në kushtet e mbijetesës”, tha ajo.

Në vend që të ndërhyjë për uljen e kostove, mbështetjen e prodhimit vendas dhe lehtësimin e çmimeve për familjet shqiptare, sipas Tabakut, qeveria po ndërmerr ndryshime ligjore që favorizojnë një rreth të ngushtë përfituesish.

“Qeveria nuk merr masa për fermerin, për produktin shqiptar apo për uljen e çmimeve në tryezat e familjeve. Ajo merr masa për klientët e radhës, duke ndryshuar ligjet sa herë ndryshojnë interesat”, deklaroi Tabaku.

Deputetja e PD-së theksoi se nuk ekziston asnjë kërkesë e Bashkimit Europian për shitjen apo tjetërsimin e tokës bujqësore, duke e cilësuar këtë si një tjetër përpjekje për ta kthyer Parlamentin në noter të interesave private.

“Nuk ka asnjë kërkesë nga Bashkimi Europian për këtë. Është vetëm kërkesa e klientit të radhës. Këtë sistem duhet të ndryshojmë: Parlamentin si noter të ligjeve të bizneseve”, përfundoi Tabaku.

Reagimi i plotë:

Bujqësia është në koma, ndërkohë që qeveria po miraton një ligj që lejon përdorimin e tokës bujqësore edhe për ndërtimin e parqeve eolike dhe fotovoltaike.

Ajo që po ndodh realisht me diskutimin e ligjit për mbrojtjen e tokës bujqësore është se edhe ajo pak tokë që ka mbetur, e cila sot shfrytëzohet keq dhe merr shumë pak mbështetje, po vihet nga qeveria, pa asnjë kriter, pa parime dhe pa rregulla të qarta, në dispozicion të parqeve fotovoltaike dhe eolike.

Dhe, si gjithmonë, përdorin integrimin europian si justifikim.

Sigurisht që kjo çështje lidhet me procesin e integrimit, sepse ne duhet të sigurohemi që bujqësia të jetë prioritet, që të mbrohet mjedisi dhe që të mbrohet toka bujqësore. Por ky nuk është rasti.

Ata thjesht po e përdorin integrimin si justifikim për interesat e tyre të radhës.

A ka ndonjë kërkesë konkrete për parqe eolike apo fotovoltaike, për të cilën po ndryshohet ligji? Sepse kështu jemi mësuar. Ndoshta pas pak kohësh do ta mësojmë nga media.

Ndërkohë, bujqësia duhet patjetër të ishte në rendin e ditës, sepse fondet për të kanë rënë. Pesha e saj në ekonomi ka zbritur nga rreth 20% e Prodhimit të Brendshëm Bruto në 15% dhe po shkon drejt 14%.

Fondet e IPARD-it i mungojnë sektorit të bujqësisë, ndërsa produktet shqiptare po e kanë gjithnjë e më të vështirë të shiten jashtë. Për shkak të zhvlerësimit të euros me rreth 30%, ato kanë humbur konkurrueshmërinë, duke e vendosur sot fermerin shqiptar në kushtet e mbijetesës.

Çfarë masash merr qeveria?

Jo masa për të mbështetur fermerin.

Jo masa për të ulur çmimet në tryezat e familjeve.

Jo masa për të ndihmuar produktet shqiptare.

Ajo merr masa për klientët e radhës, duke ndryshuar ligjet sa herë që ndryshojnë interesat që duhet të favorizohen.

E njëjta gjë po ndodh edhe me shitjen dhe tjetërsimin e tokës bujqësore. Nuk ka asnjë kërkesë nga Bashkimi Europian për këtë. Është thjesht kërkesa e klientit të radhës.

Këtë sistem duhet të ndryshojmë: Parlamentin e kthyer në noter të ligjeve të bizneseve.

ME TE LEXUARAT