"Beteja" Rama-Meta për dekretimin e ministrave, Kushtetuesja merr vendimin, kush ka të drejtë

Gjykata Kushtetuese vendosi që të pranojë pjesërisht kërkesën mbi përplasjen mes Presidentit dhe kryeministrin në lidhje me kompetencat për dekretimin e ministrave.
Kujtojmë që presidenti Meta nuk pranoi të dekretonte Gent Cakajn në krye të Ministrisë së Punëve të Jashtme, arsye pse nisi një ftohje mes Kryeministrisë dhe Presidencës.
Më pas, kryeministri Edi Rama vendosi të jetë vetë ministër i Jashtëm, një shembull i marrë nga shtete të tjera perëndimore, si Greqia, ndërsa Gent Cakajn e vendosi si të deleguarin e tij.
Çështjen e mosdekretimit të ministrave, kryeministri Edi Rama e dërgoi në Gjykatën Kushtetuese, e cila mori në shyrtym çështjen.
Në vendimin e saj, Kushtetusja ka vendosur të pranojë pjesërisht kërkesën, ndërsa ka pushuar gjykimin për kërkimin mbi zgjedhjen e mosmarrëveshjes së kompetencës, ndërmjet Kryeministrit dhe Presidentit të Republikës së Shqipërisë.
Gjykata thekson se kompetencat për emërimin dhe shkarkimin e ministrit ndahen mes tre organeve: Kryeministrit, Presidentit dhe Kuvendit.
VENDIMI
Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë, mori në shqyrtim në seancën plenare të datës 18.05.2021, çështjen me kërkues Kryeministri i Republikës së Shqipërisë, me objekt: “Zgjidhja e mosmarrëveshjes së kompetencave ndërmjet Kryeministrit të Republikës së Shqipërisë dhe Presidentit të Republikës së Shqipërisë. Interpretimi i nenit 98, pika 1 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë”.
Në përfundim të shqyrtimit, Gjykata Kushtetuese, njëzëri,
VENDOSI:
– Pranimin e pjesshëm të kërkesës.
– Pushimin e gjykimit për kërkimin mbi zgjidhjen e mosmarrëveshjes së kompetencës, ndërmjet Kryeministrit dhe Presidentit të Republikës së Shqipërisë.
– Interpretimin përfundimtar të nenit 98 të Kushtetutës, për sa vijon:
– Në procedurën e emërimit dhe shkarkimit të ministrit, Kryeministri, Presidenti dhe Kuvendi, udhëhiqen nga parimi i luajalitetit kushtetues dhe atij të ndarjes dhe balancimit të pushteteve.
– Kompetenca për emërimin dhe shkarkimin e ministrit ndahet ndërmjet tre organeve të mësipërme.
– Procesi i emërimit të ministrit duhet të garantoje përmbushjen e kritereve dhe cilësive kushtetuese për këtë funksion.
– Vlerësimi dhe verifikimi i kandidatit për ministër, bëhet nga të tre organet e përfshira në proces, secili sipas rolit dhe kompetencave të tij kushtetuese, brenda afateve kushtetuese, në përputhje me arsyetimin e këtij vendimi.
Vendimi përfundimtar do të shpallet i arsyetuar brenda afateve ligjore të parashikuara nga ligji nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar.


