Berisha u shpall non- grata në SHBA, analistët: Ky është fundi i mosndëshkimit të politikanëve

Politikë

Berisha u shpall non- grata në SHBA, analistët: Ky është

Analistët në vend kanë komentuar vendimin e SHBA për shpalljen e kryeministrit Sali Berisha dhe familjes së tij non- grata në tokën amerikane. Sipas tyre, ky vendim shënon fundin e periudhës së mosndëshkimit të elitave politike dhe përballjen e tyre me akuzat për korrupsion.

Analisiti i njohur i politikës dhe përfaqësues i komunitetit të gazetarëve, Aleksandër Çipa, thotë se kjo shënon ngjarjen më të rëndë midis udhëheqësve politikë shqiptarë dhe SHBA. Por më e rëndësishmja e kësaj ngjarjeje, tha zoti Çipa, është zbritja e protagonistëve politikë nga lartësitë e paprekshme në përballjen ligjore me akuzat për korrupsion.

“Ky është një moment i ri përmbyllës i kapitullit të ashtuquajturit tranzicion në Shqipëri, ku kasta dhe elita politike ishte njëkohësisht sunduese e ligjit shqiptar dhe një ndër arsyet pse kishim një ineficencë të sistemit të drejtësisë. Ky është edhe një realitet i ri në gjithë realitetin shqiptar. Pandëshkueshmëria ka qenë një lloj sundimi i padëshirueshëm dhe pengmbajtës për vendin dhe zvarritjen e Shqipërisë nëpër të ashtuquajturën kohë të tranzicionit”, tha zoti Çipa.

Analisti i njohur Mentor Kikia thotë se deklarata e sotme e sekretarit Blinken është deklarata më e ashpër që SHBA kanë publikuar për ndonjë politikan shqiptar që nga viti 1997.

Edhe pse në hije, shtoi ai, zoti Berisha ndikon fort në cdo qëndrim të PD-së që nga reforma në drejtësi e deri në gjithcka tjetë, sepse ka ndjekësit e tij në gjirin e saj.

“Kjo deklaratë e ashpër që vjen sot në adresë të zotit Berisha është një fshikull e fortë, së pari për rolin që ai vazhdon të ketë në Partinë Demokratike, e cila duhet të qëndrojë për një tjetër mandat në opozitë, si dhe për rrezikun, që ai mund të frymëzojë një lëvizje radikaliste pranë kësaj partie. Faktori i dytë mund të jetë rezistanca apo deklaratat që bëhen kundër reformës në drejtësi, dhe kjo mund të paralajmërojë edhe një procedim të shpejtë ndaj zotit Berisha nga ana e SPAK-ut” - tha zoti Kikia.

Vëzhguesit e politikës pohuan se ngjarja e sotme është një pikë kulmore në marrëdhëniet shpesh të tensionuara mes SHBA-ve dhe ish presidentit e ish kryeministrit Berisha, aq sa tani listohet si e padëshirueshme edhe gjithë familja Berisha, gjë që është një akt sa i rrallë edhe domethënës.

“Shpallja non grata nga sekretari amerikan i shtetit e ish-presidentit dhe ish-kryeministrit Berisha është një lajm tronditës. Deklarata është një zile zgjimi për zyrtarë dhe ish-zyrtarë të Shqipërisë dhe një kujtesë për të gjithë se abuzimi me pushtetin dhe shkelja e ligjit, nëse nuk ndëshkohet nga drejtësia vendore, nuk harrohet dhe nuk anashkalohet nga SHBA-të. Një lexim i rëndësishëm i deklaratës ka të bëjë me faktin se në të përcillet një mesazh shumë i rëndësishëm dhe i përsëritur nga Uashingtoni: nevoja për përgjegjshmëri dhe transparencë nga institucionet publike të Shqipërisë ndaj procesit të qeverisjes dhe i veprimeve të zyrtarëve shqipytarë ”, thotë analisti i njohur Lutfi Dervishi.

Analistët e politikës mendojnë se kjo ngjarje do të ndikojë edhe në jetën e Partisë Demokratike, sepse zoti Berisha prej kohësh udhëhoqi atë qysh nga themelimi dhe u akuzua se e mbajti nën kontroll pa ndërprerje, edhe pse humbi zgjedhjet më 2013 dhe u largua me dorëheqje./VOA

 

ME TE LEXUARAT

NA SHKRUAJ

Portali Lajmifundit sjell Lajme nga Shqipëria, rajoni dhe bota në kohë rekord. Ju lutemi na kontaktoni nëse doni të kontribuoni me informacione të vlefshme për publikim në portalin tonë.

Kliko për më shumë informacion