Berisha nuk tërhiqet nga shkrirja e SPAK-ut: Nuk do lejoj drejtësi të dirigjuar!

Kreu i PD, Sali Berisha nuk është tërhequr nga deklarata se me ardhjen në pushtet do të shkrijë Prokurorinë e Posaçme, SPAK.
Berisha në një deklaratë për shtyp tha se Shqipëria do të ketë një shtet ligjor dhe jo një prokurori politike.
"Asnjë diskutim nuk ka që Shqipëria do të ketë prokurorinë më serioze në raport me ligjin, por Shqipëria kurrë nuk do të ketë një prokurori politike. Jo. Shqipëria ka patur një Prokuroi të Krimeve të Rënda e cila ka vendosur para ligjit 1050 anëtarë të 204 organizatave dhe grupeve kriminale. Një prokurori në të cilën mandatet e arrestit nuk shiteshin në avancë, por ekzekutoheshin në 95% të tyre.
Një prokurori e cila kishte kërkuar nga gjykata në shumë raste dënime për jetë dhe ishin dhënë dënime të tilla. Që i liroi Edi Rama.
Ata që duan të mendojnë se vërejtjet e mia për Skrapin e partisë kanë të bëjnë me, jo jo, kanë të bëjnë pikërisht për një prokurori që nuk bën politikë, që nuk shndërrohet në satër për rotacionin, që nuk bën drejtësi të dirigjuar, që nuk shet dosje dhe nuk fle mbi krimin", tha Berisha.


