Berisha nga arresti i shtëpisë: Basha "shiti" votat e 700 mijë demokratëve

Ne mitingun e radhës nga arresti i shtepise, Sali Berisha, ka akzuuar Lulzim Bashen se nuk mbrojti kauzat kryesore te opozites sic ishte shembja e Teatrit Kombetar por edhe vota e 700 mije qytetareve qe mbeshteten PD-ne.
Berisha: Një opozitë që u dëshmua e paqenë në betejën për Teatrin, u dëshmua e paqenë në mbrojtjen e votës edhe pse kishte 700 mijë shqiptarë në mbështetje
Qytetarë dhe qytetare, qëndrestarë, misionarë të vërtetë trë guximit, lirisë dhe shpresës së shqiptarëve.
Të dashur dhe të nderuar artistë, anëtar të Aleancës për mbrojtjen e njërit prej simboleve më të çmuar të kombit shqiptar, që me pasionin, dashurinë tuaj për teatrin, pasionin, dashurinë tuaj për artin dhe kulturën e këtij kombi, sakrifikuat në 7 vite në protestën më të gjatë, më qytetare, që Europa dhe bota ka njohur ndonjëherë.
Më shumë se kushdo tjetër, qytetarët e Tiranës dhe mbarë kombit u janë mirënjohës për betejën epike në mbrojtje të teatrit.
Në mbrojtje të vlerave të kulturës tonë, të artit nga barbaria, nga kartelet e drogës.
Të dashur artiste dhe artistë!
Më shumë se kushdo tjetër ndaj jush janë borxhli, janë demokratet dhe demokratët e Tiranës, të cilët kurrë në asnjë rrethanë nuk duhet të lejonin dhe s’mund të lejonin asgjë tjetër përveç triumfit të kauzës tuaj.
E keni thënë në mënyrë të përsëritur dhe e thatë dhe sonte, se fati i teatrit ishte fati i demokracisë në Shqipëri.
Se rrënimi i teatrit nga barbarë defakto dëshmoi për rrënimin madhor të vlerave në këtë shoqëri dhe u ndoq me shpejtësi me rrënimin e demokracisë, ashtu si muret e Teatrit Kombëtar.
Skena e tij, e gjithë qenia e tij u mposhtën nga droga, karteli i saj, Edi Rama, Erion Velaij. Atë fat pati dhe kanë në Shqipëri, demokracia shqiptare.
Përpjekja, beteja epike e artistëve për teatrin, e punonjësve do të frymëzojë qytetarët e Tiranës dhe shqiptarët drejt rikthimit të teatrit në legjendën dhe epikën e tij, në legjendën dhe epikën e luftës, betejës së pamposhtur që këta burra e gra, artistë të mrekullueshëm, qytetarë të vërtetë të Tiranës dhe Shqipërisë zhvilluan në mbrojtje të teatrit.
Të dashur miq!
Siç u shemb teatri, njëra pas tjetër u shembën në Shqipëri shtyllat e rendit kushtetues, u shembën në Shqipëri, shtyllat e demokracisë.
Një opozitë që u dëshmua e paqenë në betejën për Teatrin, u dëshmua e paqenë në mbrojtjen e votës megjithëse kishte 700 mijë shqiptarë në mbështetje, bëri që e keqja e pandalshme të ngadhënjejë.


