Berisha: Do falim çdo gjobë dhe kamatë të vendosur që nga viti 1992 deri më 11 maj!
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë një takimi me gratë, deklaroi se nëse PD vjen në pushtet, do të falen dhe kamatat për bizneset e vogla.
Ai akuzoi qeverinë aktuale për paligjshmëri, duke theksuar se shqiptarët janë të dëshpëruar dhe të detyruar të emigrojnë masivisht. Berisha u shpreh se qeveria aktuale ka rikthyer kamatat dhe se inspektorët ushtrojnë presione ndaj bizneseve të vogla.
Berisha: Ju e patë, një ditë të bukur tha unë do vendos pensionin 200 euro. Po ne kishim dorëzuar ligjin një vit e gjysmë më para pikërisht për këtë, për minimumin jetik 200 euro. Ai nuk e votoi, kur unë e ftova që hajde të mblidhemi urgjent dhe ta votojmë në parlament, ai e spostoi në vitin 2030.
Tani ai kalon tek pjesa tjetër e programit, falja e gjobave. Ju e dini që ne kemi premtuar faljen e çdo gjobe për qytetarët shqiptarë që është vendosur para datës 11 maj e gjer në vitin 1992. Çdo gjobë, çdo kamatë zerohet, bëhet inekzistente për çdo gjë.
Duam t’i çlirojmë qytetarët shqiptarë nga makthet e padrejtësive që ata kanë përjetuar ndër vite.
Çfarë ndodh? Ne kemi falur kamatat, këta i kanë rikthyer kamatat. Nuk kanë ligj as moral. Këta sot e kësaj dite i mbledhin dhe dëgjoja një ditë një qytetar që thoshte se më duhen 80 vite punë për të paguar kamatat që kam për energjinë. Kështu që ne, jo vetëm qytetarëve, por ne do falim edhe gjobat e biznesit të vogël. Se edhe ai është viktimë e arbitraritetit dhe absurditetit të inspektorëve të qeverisë.
Jemi shumë të vendosur që të falim çdo gjobë, ai kërkonte amnisti për grupet kriminale, ne do bëjmë amnisti për qytetarët dhe bizneset e ndershme.