Berisha: Balluku drejt arratisë! Kreu i PD thotë se Rama po përgatit largimin e saj për t’i shpëtuar arrestimit

Nga SPAK, ku i duhet të paraqitet për të firmosur detyrimin e paraqitjes, Sali Berisha hodhi akuza të forta ndaj kryeministrit Edi Rama dhe ish-numrit dy të qeverisë Belinda Balluku. Sipas tij, burime të sigurta e kanë informuar se Rama po përgatit arratinë e saj.
“E keni marrë vesh, po i përgatit Lubisë arratisjen. Po i përgatit absolutisht Lubisë largimin në një shtet tjetër. Këtë e kam nga burime të mirëinformuara. Mendon se mos po i sjellin ndonjë fletë-arresti tjetër nga SPAK-u dhe ajo të gdhihet në një shtet tjetër, diku tjetër. Nuk them dot 100% e vërteta se… po por burime që në të vërtetë janë burime të besueshme, janë serioze. A po e përgatit dhe për vete ai këtë? Ju garantoj që edhe mbrapa diellit po të shkojë, do vijë këtu të japë llogari për krimet që ka kryer”, tha Berisha.
Protestën 15 ditore të qytetarëve shqiptarë Berisha e përgëzon dhe thotë se zërat kundër tij janë të nxitura nga kryeministri. Ai thotë se nuk do t’i bashkohet protestës.
“Kjo është opozita e opozitës që mendon tani se në këtë mënyrë, duke luftuar opozitën e vërtetë, do mund të zëvendësojë atë, por opozita s’i ka zënë vendin askujt. Kjo është protesta më paqësore, më e bukura, më paqësorja që ka njohur Shqipëria. Ndaj dhe unë po të mos kisha patur këto funksione, ditë natë do isha aty”, tha kreu i PD.
Në fund Berisha i bëri sërish thirrje demokratëve që t’i bashkohen qytetarëve në protesta.