Arrestimi i avokatit, Bardhi: Shqipëria po zhbën çdo standard të shtetit ligjor

Politikë

Arrestimi i avokatit, Bardhi: Shqipëria po zhbën çdo standard

Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka reaguar ashpër në lidhje me arrestimin e avokatit Uljan Barjami pas një debati në sallën e gjyqit me përfaqësues të organit të akuzës, duke e cilësuar ngjarjen si një sulm të papranueshëm ndaj shtetit të së drejtës dhe lirisë profesionale.

Përmes një postimi në Facebook, Bardhi e konsideroi këtë akt si tregues të qartë se standardet themelore të një shteti ligjor po rrënohen në Shqipëri, duke ngritur alarmin se po minohen themelet e demokracisë dhe të drejtave themelore të qytetarëve.

“Në një shtet të së drejtës, roli i avokatëve për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore është i pazëvendësueshëm. Arrestimi i një avokati, pas një debati të tensionuar me përfaqësuesit e organit të akuzës në sallën e gjyqit, është një ngjarje e papranueshme,” shkruan Bardhi.

Ai shtoi se një ngjarje e tillë, në një vend që aspiron të bëhet pjesë e Bashkimit Evropian dhe është anëtar i NATO-s, nuk përkon me asnjë standard demokratik dhe duhet të shërbejë si sinjal alarmi për institucionet e drejtësisë, përfshirë Këshillin e Lartë të Prokurorisë (KLP) dhe Këshillin e Lartë Gjyqësor (KLGJ).

Bardhi theksoi nevojën për reflektim të thellë institucional, duke paralajmëruar rrezikun që raste të tilla të shndërrohen në precedentë të rrezikshëm që cenojnë lirinë e mbrojtjes dhe ndikojnë drejtpërdrejt në cilësinë e drejtësisë.

“Avokatët, ashtu si gjyqtarët dhe prokurorët, kanë një rol thelbësor në garantimin e një procesi të rregullt gjyqësor. Çdo cënim i veprimtarisë së tyre duhet të marrë përgjigje të shpejtë dhe adekuate nga institucionet përgjegjëse,” shtoi ai.

ME TE LEXUARAT

NA SHKRUAJ

Portali Lajmifundit sjell Lajme nga Shqipëria, rajoni dhe bota në kohë rekord. Ju lutemi na kontaktoni nëse doni të kontribuoni me informacione të vlefshme për publikim në portalin tonë.

Kliko për më shumë informacion