Ankimimi i PS për listat e kandidatëve të PD, Kolegji Zgjedhor shqyrton çështjen

TIRANË- Kolegji Zgjedhor po shqyrton në këto momente ankimin e Partisë Socialiste për vendimin e KAS, që i pranoi PD-së listën me 222 kandidatë në zgjedhjet e 25 prillit, nga 153 që duhej të ishin sipas KQZ-së. Partia Socialiste kërkon që PD t'i hiqen 78 kandidatë për deputetë.
Përfaqësuesi i PS-së, Eridian Salianji theksoi në seancë se kur partitë garojnë me lista të hapura nuk mund të ketë një numër të pakufijshëm kandidatësh. Sipas tij numri i lartë i kandidatëve sjell problematika edhe në hartimin e fletës së votimit.
Ndërkohë që përfaqësuesi i PD, Ivi Kaso thotë se paraqitja e kësaj liste nuk e bën fletën e votimit më pak të qartë apo më të ngatërruar. Sipas tij duhet të respektohet parimi i balancës së përfaqësimit të të gjitha subjekteve zgjedhore dhe vazhdimësisë së Kuvendit.
Kujtojmë se pak ditë më parë Partia Demokratike fitoi betejën e parë ligjore dhe juridike në KQZ për zgjedhjet e 25 prillit. Kjo falë votës së ish-ministrit të tyre, Ilirjan Rusmajli, edhe pse demokratët i dogjën mundësinë për të marrë drejtimin e KQZ-së.
Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve (KAS) rrëzoi vendimin e kryekomisionerit Ilirjan Celibashi i cili i shkurtoi listën e kandidatëve për deputetë koalicionit PD-AN. KAS vendosi të pranojë listën me 222 kandidatë për deputetë të koalicionit PD-AN.


