Ambasadori amerikan: Një apo disa struktura qëndrojnë pas sulmit në veri të Kosovës
Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, tha të shtunën se një apo disa struktura qëndrojnë pas sulmit të armatosur ndaj Policisë së Kosovës javën e kaluar në veri të vendit, gjatë të cilit u vra një zyrtar policor.
I pyetur nga BBC të shtunën nëse Serbia qëndron pas sulmit, Hovenier tha se sasia dhe cilësia e armëve të gjetura në Banjskë të Zveçanit tregojnë se “sulmuesit serbë etnikë nuk i siguruan ato vetë”.
“Tani, po ashtu, ne e dimë se një individ i cili ishte nënkryetar i njërës nga partitë serbe në Kosovë, për të cilin dihet se ka marrë pjesë në ngjarje me zyrtarë të lartë serbë, njoftoi përmes avokatit të vet se ai ishte organizator i kësaj ngjarjeje dhe se ai ishte i pranishëm”, tha Hovenier duke iu referuar Millan Radoiçiçit, nënkryetarit të deritanishëm të Listës Serbe – partisë më të madhe të serbëve në Kosovë.
Më 2 shkurt të këtij viti, Radoiçiçi mori pjesë në një seancë të jashtëzakonshme në Parlamentin e Serbisë. I ftuar aty ishte edhe presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiç.
Merr lajme ekskluzive në Whatsapp
Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.
Të premten, Radoiçiqi e mori përgjegjësinë për sulmet ndaj Policisë së Kosovës në fshatin Banjskë të Zveçanit më 24 shtator, dhe dha dorëheqje nga posti i tij në parti.
“Pra, ne ende po punojmë për ta gjetur se kush ishte saktësisht përgjegjës. Por, tani dimë më shumë rreth kësaj dhe jemi të shqetësuar për atë që ndodhi”, shtoi Hovenier.
Policia e Kosovës u sulmua me 24 shtator në një pritë nga një grup i armatosur derisa po shkonte për të kontrolluar bllokimin e një rruge pranë një ure në Banjskë, ku mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku.
Sulmuesit u strehuan në manastirin e fshatit ku e vazhduan konfrontimin me policinë, dhe si pasojë tre prej tyre u vranë. Tre sulmues të dyshuar janë arrestuar dhe po mbahen në paraburgim në Prishtinë.
Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë më 29 shtator, ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, tha se Radoiçiç nuk ka vepruar i vetëm siç ka thënë, por i mbështetur nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç.
Radoiçiçi është në listën e zezë të Shteteve të Bashkuara për shkak të korrupsionit dhe krimit ndërkombëtar./REL