Politikani i majtë apel publik Melonit: Stop Dhunës! Në gjithë karrierën time s’kam parë protesta të tilla

Dy herë kryeministër i Italisë, sot në moshën 87 vjeçare, Romano Prodi, një njeri shumë i njohur dhe shumë i dashur për shqiptarët edhe për shkak të rolit të tij të madh ndërmjetësues në Shqipërinë e shkatërruar të vitit ’97, ka dalë dje në mbrëmje përpara Lilly Gruberit në televizionin Italian, për të treguar se dhuna nuk është zgjidhja dhe se ai vetë nuk i kupton këto protesta që zhvillohen në itali.
Romano Prodi është një politikan i majtë, i qendrës së majtë socialdemokrate, ndaj Meloni, është kundërshtarja e tij politike.
Por qartazi, Prodi dënon ashpër dhunën, dhe shpreh rezervat e veta për planin e qeverisë, nëse me masat që po ndërmerren do të ndalojë dhuna. Prodi u shpreh i habitur nga karakteri i protestave.
“Nuk kam parë kurrë demonstrata pa flamuj, pa një objektiv, të organizuara thjesht për shkatërrimin dhe për dhunën në vetvete”, tha ai.
Sipas tij, aspekti më shqetësues është se ky fenomen mund të zgjasë për një kohë të gjatë.
Sa i përket dekretit për Sigurinë, profesori vërejti me ironi se, nëse kemi arritur te masa e tetë, kjo “do të thotë se të tjerat nuk kanë shërbyer për asgjë”.
Prodi theksoi gjithashtu se kjo nuk do të thotë të heqësh dorë nga ndërhyrja: “Dhuna duhet dënuar në çdo mënyrë.” Megjithatë, sipas tij, nevojitet edhe një analizë e problemeve dhe një përpjekje për të kuptuar se çfarë duhet bërë në mënyrë që situata të mos përsëritet.


