Italia burgos në Gjadër Emigrantët Ilegal, disa të arrestuar si protestues të dhunës në Milano e Torino (FOTO)

Nga dje Italia ka rinisur dëbimet masive të shtetasve të vendeve të treta, të cilët ilegalisht kishin mbërritur atje.
Ndër personat e dëbuar janë edhe të përfshirët në protestat e dhunshme dhe arrestuar edhe për munges të lejeqëndrimit në territorin italian. Disa prej tyre janë prangosur edhe për protestën e dhunshme dhe përfshirjen në plaçkitjet dhe grabitjet masive në Milano dhe Torino.
weblajm.com mëson ekskluzivisht se 10 të dëbuarit e parë janë strehuar në Gjadër, ndërsa pritet që numri i tyre të rritet.
Ata strehohen në ish-bazën ushtarake Gjadër, në kuadër të marrëveshjes Itali-Shqipëri.
Qëndrojnë aty deri sa gjykata italiane të vendosë përfundimisht fatin e tyre e më pas të rikthehen në vendet e origjinës.
Kjo foto është nga pista e aeroportit të Rinasit, ku të prangosurit, të dëbuarit, janë shoqëruar nga policia italiane.


Reagimi i Policisë Shqiptare për Emigrantët nga Italia
Drejtues Albert Nushi, Shef i Sektorit të Drejtimit në Departamentin për Sigurinë Publike, deklaratë për median
Përshëndetje,
Ditët e fundit, në rrjete sociale po publikohen lajme të rreme që synojnë të dëmtojnë imazhin e Policisë së Shtetit, të cenojnë rendin dhe sigurinë, si dhe të vënë në dyshim respektimin e të drejtës për të protestuar në mënyrë paqësore.
Lidhur me pamjet e publikuara nga Rinasi, ku pretendohet se shtetas të huaj sillen në Shqipëri, për t’u mbajtur në burg, sqarojmë se këto pretendime janë të pavërteta. Bëhet fjalë për shtetas që transportohen nga Italia drejt Gjadrit, në qendrën e pritjes për emigrantët e paligjshëm.
Ndërkohë gjatë ditës së djeshme, disa mësuesve dhe pedagogëve u janë dërguar mesazhe në emër të Policisë së Shtetit, me përmbajtje intimiduese, ku pretendohet se ata janë filmuar nga Policia gjatë pjesëmarrjes në tubim dhe se do të kontaktohen për t’u komunikuar akuza.
Sqarojmë se këto mesazhe nuk janë dërguar nga Policia e Shtetit, por nga persona ende të paidentifikuar, me qëllim përhapjen e panikut dhe dëmtimin e besimit të qytetarëve te Policia.
Sigurojmë mësuesit dhe pedagogët se e drejta për t’u tubuar paqësisht është një e drejtë kushtetuese dhe se Policia e Shtetit ka detyrimin ligjor ta respektojë dhe garantojë atë.
Në të gjitha njoftimet dhe daljet publike të përfaqësuesve të Policisë së Shtetit është bërë e qartë se kjo e drejtë respektohet dhe garantohet. Çdo pretendim i kundërt është i pavërtetë dhe dashakeq.
Gjithashtu, sqarojmë opinionin publik se lajmet e publikuara për dorëheqje masive nga radhët e Policisë së Shtetit, janë të pavërteta.
Po ashtu, sigurojmë qytetarët se asnjë drejtues policie nuk ka dhënë urdhra të kundërligjshëm për ushtrimin e dhunës gjatë ditëve të tubimit.
Të nderuar qytetarë,
Policia e Shtetit është në shërbimin tuaj, në zbatim të ligjit, për garantimin e jetës, pronës dhe të drejtave tuaja. Ju bëjmë thirrje të mos bini pre e informacioneve të rreme që synojnë të cenojnë misionin ligjor të Policisë së Shtetit dhe besimin tuaj tek ajo./weblajm



