"Policia e çakorduar"/ Gledis Nano: Nuk e pranoj dot që efektivët të ndjekin njerëz me shkop në dorë

Aktualitet

"Policia e çakorduar"/ Gledis Nano: Nuk e pranoj dot që

Ish-drejtori i Policisë së Shtetit, Gledis Nano ka komentuar protestën e studentëve që po zhvillohet në Tiranë. 

Në një intervistë për "Vizion Plus", Nano shfaqi disa kritika në lidhje me mënyrën si po menaxhohet tubimi, duke thënë se në disa raste është shmangur protokolli. Po ashtu, sipas Nanos, në disa raste, policia është shfaqur e çakorduar.  

"E kam ndjekur situatën, dua të them se është një situatë pak e komplikuar. Menaxhimi i turmave kërkon angazhim dhe profesionalizëm. Nuk jam dakord me ushtrimin e dhunës, pasi nuk justifikon kërkesat e protestuesve, por duhet të përmend pjesën apo detyrat që ka Policia e Shtetit për menaxhimin e protestave.

Kam parë disa video, nuk dua të jem i prerë, të dal në vendim, pasi duhen parë në kompleksitet, kam vënë re që forcat e policisë kanë patur një lloj çakordimi, apo nuk kanë qenë aq të organizuar në situatë të tilla. Edhe situata të bën që ndoshta të gabosh në terren, por ne pretendojmë të kemi polici sipas standardeve të BE, e cila është trajnuar nga kolegë të ndryshëm ndërkombëtarë. Nuk mund të pranojmë raste të tilla që kemi parë.  

Nuk duhet të përgjithësojmë protestën e studentëve me protestuesit e dhunshëm. Është e papranueshme që shkatërrohen biznese, që ndoshta ato familje që i kanë krijuar kanë vuajtur dhe kanë investimet atyre. Shumë më kanë telefonuar dhe më pyesin çfarë të bëjmë. Policia duhet të zbatojë një standard të caktuar.  

Në videot që kam parë, nuk e pranoj dot që policia të prishë protokollin. Po kemi një 'riot unit', që janë FNSH, të dedikuara dhe trajnuara, që menaxhojnë aktivitete nga ato kulturore te protestat e dhunshme. Nuk e pranoj dot që një grup punonjësish policie të prishin protokollin dhe të ndjekin njerëz me shkop në dorë, nuk të lënë shije të mirë profesionale.

Nuk mund të përgjithësojmë dot të gjithë punën e policisë së shtetit. Këta persona duhen analizuar, disa edhe janë pezulluar. Pse nuk ndërhyn policia? Në kushtet që jam sot nuk e them dot nëse është versioni një apo dy. A ka detyrim policia të marrë informacion para se te ndodhin këto aktivitete? A e kishte? Nuk e di.  

Nuk bëra asnjë fajtor drejtues policie, por thashë nëse ka raste specifike ku policia ka treguar mungesë profesionalizmi, shpërdorim detyre, këta punonjës policie duhet të mbajnë përgjegjësi."- tha Nano.  

ME TE LEXUARAT