Fundi tragjik i kampionit të botës: Boksieri 59-vjeçar ndërron jetë në sytë e vajzës

Sport

Fundi tragjik i kampionit të botës: Boksieri 59-vjeçar

Ish-kampioni i botës në boks, argjentinasi Jorge Castro ka ndërruar jetë në moshën 59-vjeçare pasi pësoi një atak kardiak në një sallë bingoje pranë Buenos Aires-it. Ngjarja tragjike ndodhi në prani të vajzës së tij, Quimely. Pavarësisht përpjekjeve për ta reanimuar, jeta e ish-boksierit nuk u shpëtua.

Vajza e tij tregoi për mediat argjentinase se gjithçka ndodhi brenda pak minutash. “Babai im vdiq nga shkaqe natyrore. Ai pati një atak kardiak. Fillimisht nisi t’i dhembte gjoksi dhe më pas nuk mundi ta përballonte më. Gjithçka ndodhi për vetëm 15 minuta”, u shpreh ajo. Sipas dëshmisë së saj, Castro ishte në shoqërinë e vajzës dhe ish-partneres së tij, me të cilën pavarësisht ndarjes prej 15 vitesh, ruante marrëdhënie të mira.

Quimely kujtoi edhe bisedën e fundit me të atin. “Gjithçka ishte normale dhe papritur më tha: ‘Po shkoj pak në tualet’. Kur u kthye, më tha se i dhembte pak gjoksi. Unë i thashë se kjo ndodhte sepse pinte shumë duhan. Por ai më tha: ‘Më dhemb shumë, bijë’”, rrëfeu ajo. Familjarët njoftuan menjëherë personelin e sallës, ndërsa përpjekjet për reanimim u zhvilluan në një ambient të veçantë.

120228_jorge-castro_iff.jpg

Castro fitoi titullin kampion bote në kategorinë e mesme të versionit WBA më 12 gusht 1994, pas fitores me pikë ndaj Reggie Johnson. Një nga momentet më të spikatura të karrierës së tij ishte dueli i 10 dhjetorit të po atij viti kundër John Jackson, i cili deri atëherë ishte i pamposhtur me bilancin 32 fitore. Pas tetë raundesh të vështira, Castro arriti ta nokautonte kundërshtarin në raundin e nëntë.

Ai debutoi si profesionist në vitin 1987, zhvilloi 144 ndeshje gjatë karrierës dhe u tërhoq nga boksi në vitin 2007. Më shumë se një vit pas triumfit të tij më të madh, ai humbi titullin përballë japonezit Shinji Takehara. Castro lë pas 15 fëmijë dhe 14 nipër e mbesa.

ME TE LEXUARAT