Plumbi i gomës nuk është hequr ende, i riu u plagos në sy gjatë protestës, shtyhet për sot operacioni (Arsyeja)

Erjon Vishkulli, i riu që mbeti i plagosur në sy nga një plumb gome gjatë protestës, ka pësuar hemorragji gjatë ndërhyrjes kirurgjikale të ditës së djeshme.
Sipas burimeve, për shkak të komplikacioneve të shfaqura, ndërhyrja është ndërprerë dhe është vendosur që operacioni të kryhet gjatë ditës së sotme, 25 tetor.
Mësohet se plumbi i gomës nuk është hequr ende nga syri i të riut, ndërsa pritet që mjekët të vijojnë ndërhyrjen për heqjen e tij.
Erjon Vishkulli, 28 vjeç, u godit gjatë përplasjeve intensive mes protestuesve dhe forcave të policisë në kryeqytet. Ai u dërgua me urgjencë në Spitalin e Traumës menjëherë pas lëndimit të rëndë në syrin e majtë.
Mjekët e Traumës janë treguar të rezervuar për sa i përket mundësisë së ruajtjes së shikimit në syrin e dëmtuar. Për shkak të hemorragjisë dhe dëmtimeve të indeve, do të duhet përfundimi i operacionit dhe një periudhë monitorimi për të përcaktuar nëse 28-vjeçari do të ketë pasojë të përhershme humbjen e shikimit.
Vishkulli njihet gjithashtu si anëtar i grupimit të tifozëve të kombëtares, "Tifozat Kuq e Zi". Ngjarja dhe pamjet e tij me syrin e gjakosur shkaktuan reagime të shumta në rrjetet sociale dhe shqetësim mbi përdorimin e plumbave të gomës nga forcat e rendit.


