Plan masash për bizneset e dëmtuara nga protestat, eksperti: Pasojat ekonomike mund të zgjasin me vite

Soft

Plan masash për bizneset e dëmtuara nga protestat, eksperti: Pasojat

Eksperti i ekonomisë, Igli Tola, i ftuar në edicionin informativ të lajmeve në Vizion Plus, me moderator Arnold Kariqin, ka komentuar pasojat ekonomike të protestave dhe dëmet e shkaktuara ndaj bizneseve. 

Duke iu referuar të dhënave të administratës tatimore për rreth 120 biznese të dëmtuara, Tola theksoi se mbështetja duhet të përqendrohet veçanërisht te bizneset e vogla dhe të mesme, të cilat kanë më pak mundësi financiare për të përballuar ndërprerjen e aktivitetit.

Sipas ekspertit, kompensimi nuk duhet të kufizohet vetëm te dëmet fizike, si vitrinat, dyert apo ambientet e shërbimit, por duhet të marrë në konsideratë edhe të ardhurat e munguara gjatë ditëve kur bizneset kanë punuar me orar të kufizuar ose kanë qëndruar të mbyllura.

“Nuk duhet menduar thjesht për mbulimin e kostove të dëmeve fizike, por njëkohësisht edhe për fitimin e munguar. Nevojitet mbështetje nga organet publike, të paktën për mbulimin e shpenzimeve bazë operative”, u shpreh Tola.

Ai nënvizoi se vonesat në procesin e verifikimit dhe kompensimit mund të krijojnë kosto shtesë për sipërmarrjet, të cilat detyrohen të përdorin kursimet e tyre ose të marrin hua për të rikthyer aktivitetin normal.

Tola theksoi se bizneset duhet të përballojnë detyrime të vazhdueshme, si pagat e punonjësve, qiratë, këstet e kredive dhe detyrimet tatimore, edhe kur të ardhurat mungojnë. Për këtë arsye, sipas tij, vetëdeklarimi i dëmeve nuk mjafton dhe nevojitet një bashkëpunim më i ngushtë mes institucioneve publike dhe subjekteve të prekura.

Një tjetër shqetësim i ngritur nga eksperti lidhet me ndikimin afatgjatë të protestave në ekonominë shqiptare dhe në klimën e investimeve. Sipas Tolës, paqëndrueshmëria social-politike mund t’i shtyjë investitorët e huaj të pezullojnë vendimmarrjen për projekte të reja, ndërsa kompanitë që operojnë në vend mund të shqyrtojnë zhvendosjen e aktivitetit.

Ai paralajmëroi gjithashtu se ulja e konsumit dhe ndërprerja e aktivitetit ekonomik mund të reflektohen në treguesit ekonomikë të tremujorit, duke theksuar se pasojat e situatës shkojnë përtej dëmeve materiale dhe mund të ndihen edhe në vitet në vijim.

ME TE LEXUARAT

NA SHKRUAJ

Portali Lajmifundit sjell Lajme nga Shqipëria, rajoni dhe bota në kohë rekord. Ju lutemi na kontaktoni nëse doni të kontribuoni me informacione të vlefshme për publikim në portalin tonë.

Kliko për më shumë informacion